Foto: Facebook

Reagon Haradinaj: Ndarja është luftë

Kryeministri Ramush Haradinaj ka reaguar rreth lajmeve të publikuara në media se ambasadori amerikan në Kosovë nuk e ka përjashtuar mundësinë që të ketë ndarje të territorit.

Sipas kryeministrit Haradinaj ndarja është luftë dhe se askush nuk dëshiron luftë të re në Ballkan.

Megjithatë, Haradinaj thotë se ambasadori amerikan, Greg Delawie është keqkuptuar në deklarimin e tij.

Sipas tij, amerikanët e kanë njohur pavarësinë e Kosovës me këtë territor dhe me këtë kushtetutë.

Haradinaj gjithashtu, ka shkruar se qëndrimi i amerikanëve është që ata nuk imponojnë zgjidhje, por vetëm nëse palët dakordohen.

“Mundësia e foljes për një temë është diçka tjetër dhe opsion i ndarjes është diçka tjetër”, ka shkruar Haradinaj

Ky është statusi i plotë i Kryeministrit Ramush Haradinaj:

Sqarim për opinion: Deklarimi im i plotë, sot përpara medieve për Deklaratat e Ambasadorit Amerikan në Kosovë, Greg Delawie.

“Mendoj që është interpretim i gabuar deklarata e Ambasadorit për mediat në Kosovë. Unë e di qëndrimin amerikan. Qëndrimi i parë, pra pozita e parë e amerikanëve është që ata nuk imponojnë zgjidhje, por vetëm nëse palët dakordojnë. Mundësia e foljes për një temë është diçka tjetër dhe opsion i ndarjes është diçka tjetër. Pra, askush nuk mund ta ndalë dikë në Bruksel me folë. Ambasadori ka thënë se mund të flitet, pra nuk ka thënë se është temë. Amerikanët nuk kanë vija të kuqe, por Amerikanët e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, me këtë territor, me këtë Kushtetutë. Jemi sovran, pra, ju lutem, mos keqinterpretoni me deklarata. Ju siguroj që është keqinterpretim i deklaratave të Ambasadorit”.

Pretendimet e tjera janë tendencë e qëllimshme për me kriju konfuzion për qëndrimet e Kryeministrit të Republikës së Kosovës në temat, ku tashmë këto qëndrime janë të njohura për opinionin.

Ndarja është luftë dhe unë e di që askush nuk do luftë të re në Ballkan!