Ushtrimi fushor 'Shqiponja 6' në termocentralin "Kosova A", Foto: Kallxo.com

Reagimi i FSK nëse do të shpërthente termocentrali ‘Kosova A’ (Ushtrim)

Në ditën e pestë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, më 8 maj 2018, FSK ka dëshmuar aftësitë e reagimit në rast se do të ketë shpërthim në njërin nga termocentralet e KEK-ut në Obiliq.

Gjatë ditës së pestë të ushtrimit, FSK merr një informacion se në termocentralin “Kosova A” në KEK ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm. Në skenarin e këtij ushtrimi thuhet se si pasojë e këtij shpërthimi ka të plagosur dhe të vdekur. Ky shpërthim ka ardhur si pasojë e shpërthimit të një lënde eksplozive.

Kjo situatë e simuluar është e bazuar në shpërthimin e viti 2014 që ka ndodhur në KEK. Duke e ditur historikun e shpërthimit nga viti 2014, FSK e di rrezikun e mundshëm të aktivizimit të materieve toksike dhe se kjo do të rrisë shkallën e rrezikut dhe shkatërrimit edhe më shumë.

Hetimet e para të njësive të FSK-së gjatë ushtrimit, tregojnë se gjasat janë të mëdha që shpërthimi është rezultat i vendosjes së qëllimshme të një mjeti shpërthyes prandaj urdhërohet njësiti i EOD-së pra njësiti kundër mjeteve të pashpërthyera që ta sigurojë terrenin sepse mund të ketë mjete të tjera të eksplozivit.

Për këtë arsye aktivizohet roboti vëzhgues me teledirigjim. Kjo pajisje përdoret për hulumtimin e mjeteve eksplozive dhe ka katër kamera me mundësi shikimi 360 shkallë, ka mundësi të bartjes së peshave deri në 15 kilogram, përballon terrene të ndryshme dhe pengesa në lartësi deri në 30 centimetra si dhe mundëson demolimin e eksplozivëve nga distanca.

Në ditën e parë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, më 3 maj të këtij viti, 700 ushtarë janë dislokuar dhe janë vendosur në kampin fushor në Koliq.

Në ditën e dytë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, është simuluar një krizë në rajonin e Batllavës ku si rezultat i reshjeve të vazhdueshme është rritur niveli i ujit në liqen. Në mënyrë që mos të ketë dëmtime edhe më të mëdha, zyrtarët kanë hapur kanalin dhe kanë lejuar sasi të mëdha të ujit të dalin në lum.

Në ditën e tretë, në ushtrimin fushor ‘Shqiponja 6’, janë simuluar situata ku është dyshuar se grupet kriminale mund të kenë vendosur mjete të helmuara në afërsi të liqenit të Batllavës. Po ashtu, pjesë e këtij ushtrimi kanë qenë edhe rastet kur grupet kriminale kanë tentuar të bllokojnë lëvizjet e trupave tona në zonën e operacionit duke vendosur barrikada në rrugë. Ka pasur edhe simulim të rasteve ku një familje ka pasur nevojë për ndihmë dhe evakuim nga thellësia e liqenit të Badovcit.

Në ditën e katër, FSK ka dëshmuar aftësitë në ushtrimin për neutralizimin e minave dhe shpëtimin e një fëmije të mbytur në liqenin e Batllavës.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka realizuar ushtrimin fushor “Shqiponja 6” në koordinim të plotë me shtetet aleate dhe sipas standardeve më të larta të NATO-s.

Përpos trupave të FSK-së, pjesëmarrës në ushtrimin fushor “Shqiponja 6” kanë qenë edhe efektivët ushtarakë nga Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, ShBA-ja, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe KFOR-i.

Ky është episodi i pestë i serisë së emisioneve speciale për FSK-në, KALLXO Forca.

Më poshtë mund të gjeni xhirime ekskluzive të realizuara nga KALLXO.com në bashkëpunim me FSK-në kuadër të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’.