Foto: Kisha Ortodokse Serbe

Reagimet pas takimit të krerëve të Kishës Ortodokse Serbe me Asadin

Patriarku serb e ka lavdëruar Bashar al-Assadin në takimin e tyre që është mbajtur në Damask, gjë që ngjalli kundërshti pas aksioneve të presidentit sirian në luftën që po vazhdon në Siri mes forcave qeveritare dhe rebelëve.

 

Një delegacion i Kishës Ortodokse Serbe, përfshirë edhe Patriarkun Irinej dhe peshkopin e Malit të Zi, Amfilohije, u takuan me Assadin të hënën në mbrëmje, ndërsa lideri fetar serb shkëmbeu fjalë të ngrohta me presidentin sirian rreth qëndrimit të Sirisë ndaj Kosovës dhe konfliktit që po vazhdon në Siri.

Agjencia siriane e lajmeve Sana raportoi se takimi në Damask u ndoq edhe nga Patriarku ortodoks grek John X.

Sipas uebsajtit të Kishës Ortodokse Serbe, Patriarku Irinej “e vlerësoi lartë mbështetjen parimore dhe të vendosur të Presidentit Bashar al-Assad për Serbinë” në çështjen e Kosovës, pavarësinë e të cilës Serbia refuzon ta pranojë.

Assad e krahasoi vendin e tij me Serbinë në kuptim të asaj që ai tha se ishin përpjekje të jashtme për ta minuar sovranitetin e saj, si referencë për mbështetjen e perëndimit për pavarësinë e Kosovës dhe për forcat rebele në Siri.

Irinej ndërkohë ka folur për “vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë e popullit sirian për ta ruajtur unitetin ndaj terrorizmit”.

Delegacioni serb gjithashtu vizitoi manastirin Saint Thecla i cili u shkatërrua nga forcat e ISIS, sipas një komunikate të kishës.

Në Serbi dhe Kosovë, takimi me Assadin nxiti komente të ndryshme në rrjete sociale.

Shumë veta në Serbi kujtuan se Assad dhe forcat siriane, me mbështetjen ruse, kanë përdorur armë të ndaluara dhe thanë se Patriarku nuk ka qenë dashur ta takojë atë.

Takimi u dënua edhe nga ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili e ftoi Patriarkun serb t’i vizitojë vendet ku janë vrarë shqiptarët e Kosovës nga forcat serbe gjatë luftës “në vend që ta vizitojë sërish një kriminel të luftës”.

“Turp i qoftë”, tha Pacolli në një mesazh në Twitter të hënën në mbrëmje.

Megjithatë, disa komentues në Serbi e mbrojtën këtë vizitë, duke thënë se ishte normale për një president t’i takojë përfaqësuesit e kishës kur janë në vizitë në një shtet tjetër.