Ramush Haradinaj -kryeminister

Reagim ndaj deklaratës së Haradinajt ku i quan ambasadorët 'qyqana dhe qyqane'

Ambasadori i Kosovës në Australi, Sabri Kiçmari ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Ramush Haradinaj në Konferencën e Pestë të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, ku i kishte quajtur ‘qyqana dhe qyqane’ ambasadorët që presin instruksione nga Prishtina.

“Përpos që ankoheni se ne nuk po iu dërgojmë instruksione, e që mendoj se nuk keni të drejtë. Mendoj se është i pazoti ai ambasador ose ai diplomat që thotë se nuk po na dërgon Prishtina instruksione. Unë mendoj se ai është një qyqan ose qyqane. E pse po e them për këtë, sepse mediat e sotme, teknologjia e ka mundësuar që ju mund ta shihni takimin e Qeverisë direkt, ju mund t’i përcillni 20 tema të takimit të Qeverisë. Është marre me thënë se nuk po dërgon Prishtina instruksion, si nuk ju vjen marre, e keni takimin e Qeverisë direkt”, kishte deklaruar Haradinaj.

Ambasadori Kiçmari ka reaguar për deklaratën e kryeministrit Haradinaj duke thënë se ai asnjëherë nuk ka kërkuar instruksione për 10 vite sa ka shërbyer si ambasador.

“Ambasadorët e Republikës së Kosovës nuk janë “qyqana dhe qyqane”, por njerëz me dinjitet, që i përfaqësojnë dhe mbrojnë me shumë përkushtim interesat e Republikës së Kosovës”, e ka përfunduar letrën e tij publike, ambasadori Sabri Kiçmari.

Ai ka thënë se në deklaratën e kryeministrit Haradinaj shpërfaqet padituaria e tij për detyrat e ambasadorëve dhe sidomos për mënyrën se si informohen dhe informojnë ata.

“Edhe pse personalisht nuk kam pasur nevojë të kërkoj instruksione, është krejt e natyrshme dhe e preferueshme që Qeveria e Republikës së Kosovës të pajisë me udhëzime të rregullta dhe specifike ambasadorët e Republikës së Kosovës, madje në mënyrë të koduar, ashtu siç bëjnë shtetet e tjera me traditë demokratike”, ka thënë Kiçmari.

Madje ai ka thënë se kryeministri nuk i ka të njohura ende mjaftueshëm detyrat e diplomacisë.

“Dua ta informoj kryeministrin se në rrafshin teorik dhe praktik ambasadorët i kryejnë pesë funksione kryesore: Përfaqësojnë Republikën, negociojnë në emër të Republikës, vëzhgojnë dhe informojnë në lidhje me zhvilimet në vendin pranues, i mbrojnë interesat e qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës dhe punojnë në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe”, ka thënë ai.

Po ashtu Kiçmari ka deklaruar se krahasimi i Haradinajt me diplomatët e vendeve tjera është i padrejtë dhe i pasaktë.

“Ashtu siç ai i sheh diplomatët e huaj, sa dijnë për Kosovën, dimë edhe ne, diplomatët e Republikës së Kosovës për vendin ku shërbejmë. Le ti lexojë kabllogramet dhe analizat dhe do ta kuptojë atë. Dhe, në fund, le të pyesë diplomatët e huaj në Kosovë, nëse marrin udhëzime për veprime konkrete nga vendet e tyre dhe do ta merr përgjigjien e saktë”, ka potencuar Haradinaj.

Në fund ai është shprehur se do të ishte e udhës, që kryeministri të peshoj fjalët në raport me njerëzit, që për dhjetë vite kanë lënë ambientin e tyre familjar dhe shoqëror për t’i shërbyer vendit.