Rasti Syla, Bastisen edhe Qelitë e Burgut

Dhomat e burgut ku janë duke e vuajtur dënimin të dënuarit Fahredin Gashi e Shpresim Uka janë bastisur gjatë ditës së sotme si pjesë e aksionit të EULEX-it ndaj grupit ku bën pjesë edhe deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Uka e Gashi, të cilët janë duke vuajtur dënimin me burg në rastin “Bllaca”, janë bastisur sot si pjesë e dyshimeve të prokurorisë për tjetërsimet e falsifikimet me prona për të cilat është duke u hetuar edhe deputeti Syla.

Shpresim Uka është i dënuar me 15 vjet burgim në rastin “Bllaca 2”, ndërsa nga gjykata e shkallës së parë Fahredin Gashi ishte dënuar me 18 vjet burgim.

Çështja e Gashit dhe Ukës ishte hapur pas deklaratave publike të dëshmitarit bashkëpunues të prokurorisë Nazim Bllaca. i cili gjatë dëshmisë së tij e kishte përshkruar Azem Sylën si pjesë të grupit me të cilin u dënua Fahredin Gashi e Shpresim Uka. Atëkohë pretendimet e Bllacës nuk ishin vërtetuar nga prokuroria, e cila në vitin 2013 kishte mbyllur hetimin penal për Azem Sylën.