Gjykimi për stentat | Foto: KALLXO.com

Rasti 'Stenat', mbrojtja e ish-sekretarit të MSh-së, Gani Shabani propozon dëshimtarë të rinj

Gjykata Themelore e Prishtinës gjatë ditës i ka shqyrtuar propozimet e të akuzuarve për plotësimin e provave, në rastin ku për keqpërdorim të pozitës zyrtare po gjykohen ish ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe ish-sekretari i ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani.

Pas propozimit të avokatit Nikë Shala, në cilësinë e dëshmitarit do të dëgjohet Nijazi Gashi, Ish-drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Përpos tij në cilësi të dëshmitarit, me propozim të mbrojtësit Nikë Shala do të dëgjohet edhe Bekim Fusha, si zyrtar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik.

Me arsyetimin se janë dhënë sqarime të mjaftueshme, gjykata refuzoi që të dëgjohen Besim Mujaj, Isa Latifaj, dhe Ismet Hyseni.

Pos tjerash gjykata pranoi që si prova të administrohen edhe përgjimet telefonike në të cilat është i përfshirë i akuzuari Shabani, si dhe disa emaile zyrtare.

Agani e Shabani, që të dy janë pjesë e aktakuzës për rastin ‘Stenta’ ku janë të akuzuar mbi 50 persona.

Procedura ndaj Aganit dhe Shabanit është veçuar me qëllim që gjykata të optimalizojë procedurën.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve.

Në Rastin ‘Stenta’ të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Sipas aktakuzës, Ferid Agani dhe Gani Shabani i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumën prej 504,595.00 euro, apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.

Shkrimet e KALLXO.com për këtë gjykim mund t’i lexoni në këtë https://kallxo.com/?s=IMH+eda