Safete Tolaj. Foto: Kallxo.com

Rasti shënjestruar, Ish-gjyqtarja Tolaj para Gjykatës

Seanca ndaj ish-gjyqtares Safete Tolaj, e akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës sa ishte gjyqtare, djalit të saj, Fisnikut, dhe zyrtarit të Policisë, Granit Shehaj, pritet të mbahet sot.

Në gjykimin e kaluar dëshmoi i dëmtuari Agron Kelmendi, ndërkaq në seancën e sotme pritet të dëshmojë i dëmtuari tjetër, Berat Kelmendi, që dëshmitari Agron Bajrami e përmend si personin i cili ka biseduar vazhdimisht me të akuzuarin Fisnik Tolaj dhe i cili ia ka dorëzuar paratë këtij të fundit.

http://kallxo.com/deshmitari-djali-i-safete-tolajt-kerkoi-toke-5-mije-euro-dhe-veture/

Në seancën e kaluar, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ibrahim Idrizi njoftoi palët se për shkak se kjo lëndë është rast i shënjestruar për liberalizim të vizave, gjatë tërë muajit maj pritet të mbahen 4 seanca të gjykimit.

E akuzuara Tolaj ishte deklaruar e pafajshme ndaj akuzave të prokurorisë.

Sipas aktakuzës, e pandehura në Gjykatën Themelore në Pejë – Dega në Deçan, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin, përkatësisht për të pandehurin Fisnik Tolaj, keqpërdori autoritetin zyrtar në atë mënyrë që pasi ajo më 02.01.2017 e kishte caktuar paraburgimin për një të pandehur, derisa i pandehuri Fisnik Tolaj dhe Granit Shehaj ishin takuar dhe ky i fundit duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkaloi kompetencat e tij dhe i dha shumën prej 1.900 euro të pandehurit Fisnik Tolaj për të ndikuar tek e pandehura Safete Tolaj, e cila më pas më 10.01.2017 masën e paraburgimit e zëvendësoi me masën e dorëzanisë.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, e pandehura Tolaj deri më 13.01.2017 ka fshehur materialet arkivore të Gjykatës Themelore në Pejë, dega në Deçan, ashtu që në shtëpinë e së njëjtës janë gjetur dosje origjinale të kësaj Gjykate, e të cilat e kishin vendin në arkivin e Gjykatës.

Tutje, në përshkrimin e aktakuzës thuhet se pandehura Safete Tolaj deri më 13.01.2017 në Gjykatën e lartcekur i ka mundësuar të pandehurit Fisnik Tolaj përpilimin e dokumenteve dhe shkresave zyrtare ashtu që i pandehuri Fisnik Tolaj duke shfrytëzuar pozitën e të pandehurës dhe me dijeninë e saj përdor vulën dhe shkresat zyrtare në të cilat fut përmbajtje të rreme.

“Të lartcekurit me veprimet e tyre, kanë kryer veprat penale të përshkruara sikur më lart, për çka prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që të njëjtit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Shtetit.

Aktakuza ndaj Tolajt dhe djalit të saj ishte ngritur pas transmetimit të Emisionit “Drejtësia në Kosovë”. http://kallxo.com/?s=safete+tolaj