Seanca e gjykimit në rastin "Medicus" - Foto: KALLXO.com

Rasti ‘Medicus’, Ekspertët Shpjegojnë Funksionimin e Organizmit Nëse Hiqet Njëra Veshkë

Në gjykimin e mjekëve të klinikës “Medicus”, në cilësi të dëshmitarëve ekspertë u dëgjuan eksperti i mjekësisë ligjore Flamur Blakaj si dhe urologu Afrim Rustemi.

Këta dy ekspertë ishin ftuar nga Gjykata që të dëshmonin në lidhje me një raport të cilin e kishin hartuar në bazë të një kërkese nga Gjykata.

Në lidhje me këtë raport të datës 26 mars të këtij viti me anë të të cilit Gjykata kishte kërkuar nga eksperti mjeko-ligjor që të përcaktonte shkallën e paaftësisë për secilin nga palët e dëmtuara, në raport eksperti Blakaj ishte përgjigjur se shkalla e paaftësisë në ata pacientë shkon deri në 15% dhe se kjo përqindje mund të jetë edhe me e lartë se aq.

“Përgjigja juaj ka qenë se paaftësia në shkallë prej 15% për shkak të humbjes së veshkës është minimumi i paaftësisë dhe mund të jetë edhe mbi 15% por jo nën këtë shkallë, a është e saktë?”, e pyeti ekspertin kryetarja e trupit gjykues Franceska Fischer, gjë të cilën e pohoi dëshmitari.

Më pas kryetarja e trupit gjykues e pyeti dëshmitarin nëse në këtë përfundim kishte arritur vetëm në bazë të dokumenteve të prezantuara apo edhe anamneza e të dëmtuarve pasi që sipas saj të dëmtuarit janë ankuar se pas transplantimit kanë pasur komplikime dhe dhimbje.

“A e keni marrë parasysh këtë gjendje të palës së dëmtuar në atë 15%? Çfarë shkalle të paaftësisë mbulon kjo 15%? A është vetëm një fakt se ai person është me një veshkë apo çfarë?”, pyeti ekspertin gjyqtarja Fischer.

“Shkalla prej 15% nënkupton se personi është me një veshkë mangu. Sa i përket deklaratës së dëshmitarit nuk e kam marrë për bazë sepse shumica prej tyre janë ankesa subjektive dhe në sferën psikike psikologjike dëmtimet eventuale duhet të vlerësohen nga eksperti i fushës përkatëse sepse këto janë ankesa subjektive dhe nuk kemi ankesa objektive. Janë deklaratat por nuk kemi prova. Bazuar në deklarata nuk mund të jap një opinion”, u përgjigj eksperti Blakaj.

Në lidhje me paaftësinë e personave të cilëve u është hequr veshka, eksperti deklaroi se në vitin e parë pas ndërhyrjes së tillë kirurgjike konsiderohet që nuk mund të punojnë. Për shkak të kësaj ndërhyrje ai tha se te këta persona menjëherë pas operacionit niveli i paaftësisë është shumë i lartë dhe vjen duke rënë më pas deri në një vit.

Kurse mbrojtësi i Lutfi Dërvishit, avokati Valon Hasani dëshmitarin e pyeti se cili është dallimi funksional i organizmit para dhe pas heqjes së njërës veshkë.

Për çka eksperti u përgjigj se sipas tij nuk ka asnjë dallim në funksionimin e organizmit pasi që në mungesë të njërës veshkë, veshka tjetër e kryen punën e të dy veshkave dhe se nuk prishet cilësia e jetës.

“Padyshim, deri në 30% të paaftësisë së personit, personi nuk konsiderohet invalid sepse organizmi i njeriut me të gjitha organizmat e tij kompenzator arrin ta mbulojë dhe ta kompensojë këtë paaftësi deri në 30%, çdo paaftësi deri në 30% hynë në shkallën e invaliditetit”, u përgjigj eksperti.

Por kur më pas u pyet nga avokati Hasani që nëse funksioni i njëjti kryhet si me dy ashtu edhe me një veshkë, dhe nëse mund të thuhej se largimi i njërës veshkë nuk e dëmton dhe dobëson në përgjithësi organizmin e njeriut, eksperti tha se këtë fakt nuk guxon ta pohojë me saktësi shkencore.

Ndërsa dëshmitari tjetër urologu Afrim Rustemi ndonëse tha se nuk ka eksperiencë në transplantimin e veshkave deklaroi se sipas tij në bazë të njohurive që ai i ka të lexuara, çdo intervenim kirurgjik siç është edhe transplantimi i veshkës ka komplikacionet e hershme të cilat mund të ndodhin ditët e para ose deri në javën e parë pas intervenimit kirurgjik ndërsa për komplikacionet e mëvonshme në lidhje me gjendjen e pacientit tha se mund të jenë si pasojë e ndonjë patologjie të mundshme te personi që e ka dhuruar veshkën.

Më pas kryetarja e trupit gjykues dëshmitarin e pyeti se nëse një personi i hiqet një veshkë për shkak të çrregullimeve patologjike, a do të ndikojë kjo në shëndetin e përgjithshëm të pacientit?

Për çka dëshmitari tha se nuk ka asnjë problem.

“Nuk ka kurrfarë problemi sepse në praktikën tonë kemi hasur që ka pacient të cilët lindin në atë mënyrë sepse ekziston një mekanizëm kompenzator që i kryen të gjitha funksionet pa asnjë ndikim në organizmin e tij”, u përgjigj dëshmitari Rustemi.

Sipas dëshmitarit nga ana anatomike, ajo është vetëm një mungesë anatomike dhe në terme funksionale nuk ka asnjë efekt as fizik e as psikik.

Tutje dëshmitari u pyet nga prokurorja se nëse gjatë intervenimeve kirurgjike me ç’rast bëhet heqja e veshkës, a është e domosdoshme prania e anesteziologut, për çka dëshmitari tha se prania e anesteziologut është e domosdoshme, dhe se në ndërhyrje të tilla kirurgjike duhet të marrin pjesë ekipi i operatoreve siç është ekipi i mjekëve dhe infermiereve.

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.

KALLXO.com ka përcjellë në vazhdimësi rastin “Medicus”.

 

16 Prill 2018 - 23:40

Blerta Iberdemaj 16/04/2018 - 23:40
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend