Arkiv - Ahmet Sylejmani dhe Shyqeri Bajrami në hyrjen e shatorrit të grevistëve të ish-punonjësve të Fabrikës së Tubave të Çelikut | Foto: Blerina Rogova Gaxha

Rasti i punëtorëve të Fabrikës së Tubave përfundon në Prokurori - VIDEO

Moszbatimi i Vendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin e ish-punëtorëve të Fabrikës së Tubave në Ferizaj, nga ana e Qeverisë dhe Agjencia e Privatizimit ka bërë që rasti të përfundoj në Prokurori të Shtetit.

Imer Sadiku, ish punëtor i kësaj fabrike, thotë se që nga viti 2010-të presin që të zbatohet Vendimi i Kushtetueses.

 

Avokati Haxhi Millaku i cili përfaqëson ish-punëtorët e fabrikës së tubave, thotë se deri më tani institucionet përgjegjëse kanë dështuar t`i përmbushin obligimet e tyre ligjore karshi vendimeve të plotfuqishme të gjykatave të rregullta dhe asaj Kushtetuese.

Në dokumentin njoftues të cilin e ka siguruar KALLXO.com, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese e informon kryeprokurorin e Shtetit Aleksandër Lumezi me moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave.

Në këtë njoftim thuhet se: “Ne ju njoftojmë që në bazë të kompetencave tuaja, të ndërmerrni të gjithaq veprimet  e që ju i konsideroni të nevojshme dhe të duhura për të ndihmuar në zbatimin  përfundimtar të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në vendim.

Ndryshe, ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave të Çelikut në Ferizaj kanë protestuar me dhjetëra herë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës duke bërë thirrje që t’u paguhen rreth 26 milionë euro, për të cilat ka vendosur gjykata.

Kuvendi i Kosovës ka sjellë vendim në mars të vitit 2014, ku parashihet që kompensimi të bëhet në tri faza: në fazën e parë 50 për qind e në dy fazat e tjera nga 25 për qind.

Mbi 900 punëtorët e kësaj fabrike, të larguar nga puna në vitin 1990 nga administrata serbe e asaj kohe, fituan me gjyq të drejtën e kompensimit prej 26 milionë eurosh, por nuk i kanë marrë ende këto para.

Fabrika ishte shitur për 3 milionë e 657 mijë euro në vitin 2007.

Burrat e Çelikut

.