Rasti i fajdeve ndaj Kqirajve: Apeli anulon vendimin

Gjykimi i disa anëtarëve të familjes Kqira dhe të tjerëve dhe të tjerëve në rastin e njohur për fajde do të fillojë nga pika zero.

Katër muaj pasi gjykata themelore e Prizrenit i kishte shpallur fajtorë , 10 të akuzuarit të rastit të njohur për fajde, gjykata e apelit e ktheu lëndën në rigjykim.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari.

Gjykata Themelore në Prizren kishte shpallur aktgjykimin ndaj grupit të të dyshuarve për fajde e detyrim në Prizren.

I akuzuari kryesor në këtë rast, Tunë Kqira ishte  dënuar me 2 vjet e 3 muaj burg; Kastriot Kqira me 3 vjet burg, Gjon Kqira me 2 vjet e 6 muaj, Gjekson Kqira me 5 muaj, Gëzim Kqira me 5 muaj, Benson Buza me 2 vjet e 6 muaj, Besfort Omaj me 2 vjet e 5 muaj, Zyrafete Hukolli me 6 muaj, Ekrem Leci me 6 muaj, Hil Kaqinari me 6 muaj ndërsa dy të akuzuarit tjerë Ragip Fazlija dhe Sejfë Kaqorraj janë liruar nga akuzat, raporton KALLXO.com.

Kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, tha gjatë shpallës së aktgjykimit se Tunë dhe Gjon Kqira shpallen të pafajshëm në veprën penale të detyrimit ndërsa Kastriot Kqira e Besfort Omaj janë shpallur fajtorë për këtë vepër.

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm jo proporcionale, ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.

Të akuzuar në këtë rast ishin: Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira, Benson Buza, Besfort Omaj, Zyrafete Hukolli, Ragip Fazlija, Ekrem Leci, Hil Kaçinari, Sejdë Kaqorraj dhe Zef Oroshi.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast.

 

 

www.kallxo.com