Rastet si i Shyhrete Berishës Mbeten pa Adresë Ligjore

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” analizon projektligjet me të cilat synohet të përmirësohet pozita e gruas e gjithashtu jepen edhe rekomandime për projektligjet e reja.

“Drejtësia në Kosovë” gjen se si rastet sikurse ai i Shyhrete Berishës, bashkëshorti dhe fëmijët e të cilës janë vrarë gjatë luftës nga forcat serbe, ndërsa prona ishte ende në emër të vjehrrit të saj, mbeten të pa trajtuara me projektligjin e ri të trashëgimisë.

Petrit Kryeziu, shef i zyrës ligjore në BIRN, thotë se dispozita aktuale e ligjit të trashëgimisë është diskriminuese për bashkëshortin pasjetues.

“Edhe në projektligjin e ri është e njëjta situatë, prandaj ne kemi dhënë rekomandimet tona për Komisionin për Legjislacion që ky nen të amandamentohet dhe të ndryshohet për faktin se në këtë nen duhet të  hyjë që përpos pasardhësve të drejtën e përfaqësimit ta kenë edhe bashkëshortët e tyre në mënyrë që të mos ketë diskriminime”, tha Kryeziu.

Kryeziu tha se Zyra Ligjore e BIRN ka përgatitur edhe rekomandime të tjera në këto projektligje dhe i ka dorëzuar në Komisionin për Legjislacion.

Lidhur me këtë problematikë është i njoftuar edhe Dekani i Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi, njëherësh ekspert i të drejtës pronësore.

Gashi thotë se legjislacioni i ri duhet të adresojë edhe këtë çështje.

“Jemi në një fazë të hartimit të Kodit Civil që ka filluar disa vite më herët dhe është faza e dytë dhe jemi në fazën e draftimit dhe ndoshta duhet të pretendojmë me fut edhe kontratën paramartesore si një mënyrë e zgjidhjes së probleme që do të shfaqen më vonë”, tha Gashi.

Dekani Gashi thotë se kjo çështje është si pasojë e traditës në Kosovë.

“Në traditën e Kosovës, vazhdimisht është thanë kështu sepse prona është regjistruar në emrin e më të vjetrit ose të një anëtari të familjes por faktikisht sipas Ligjit të Familjes e njeh institucionin e pronës së përbashkët familjare të gjithë atyre që kanë kontribuar në atë pavarësi pavarësisht se prona është regjistruar në emrin e njërit”, tha Gashi.

Lidhur me çështjen e të drejtave të grave e veçanërisht lidhur me problematikat që kanë hasur ato në rrugën drejt realizimit të kësaj të drejtë “Drejtësia në Kosovë”, ka realizuar disa emisione ndërsa vazhdimisht ka raportuar edhe KALLXO.com lidhur me raste të tilla.

BIRN së fundi ka dërguar në Kuvendin e Kosovës komentet dhe rekomandimet lidhur me këto projektligje që janë në procedim në Kuvendin e Kosovës.

Rasti i Shyhrete Berishës është një nga rastet më eklatante që dëshmojnë vështirësitë që hasin gratë në rrugën drejt realizimit të drejtave të tyre pronësore.

Shyhrete Berisha i ka mbijetuar masakrës së familjes Berisha të 26 marsit 1999 në Suharekë, në të cilën asaj iu vranë bashkëshorti dhe katër fëmijët, më i riu prej të cilëve kishte më pak se dy vjet, ndërsa vetë ajo mbeti e plagosur.

Mirëpo, pas luftës, më 2001 ajo nisi një betejë gjyqësore me kunatin e saj, Xhelal Berisha, i cili i mori shtëpinë në të cilën Shyhretja kishte jetuar me familjen e saj deri në ditën e masakrës.

Deklaratën e Petrit Kryeziut mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: