“Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, FOTO KALLXO

Rastet e dhunës në familje në rritje, zyrtarët e institucioneve lavdërohen për ligje të mira

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi në hapjen e fushatës “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, u ka bërë thirrje viktimave të krimit që të lajmërojnë me kohë çdo krim dhe dhunë.

“Viktimat e krimit ngadalë por sigurt po marrin trajtimin e tyre me standarde evropiane dhe mbrojtjen institucionale. Prokuroria duhet të rrisë efikasitetin për rastet e dhunës në familje në mënyrë që mos të bëhet vonë. Zyrtarët të cilët shërbejnë në Zyrën për Mbrojtjen e Viktimave duhet të kenë rol më të madh në mbrojtjen e viktimave të krimit. Inkurajoj viktimat e krimit të lajmërojnë çdo dhunë dhe rrezik, e që është edhe detyrim, si dhe të kërkojnë masat mbrojtëse”, tha Lumezi.

Kurse, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se mbrojtja e qytetarëve dhe sidomos viktimave të krimit është obligim thelbësor i institucioneve të Kosovës, sidomos i atyre të drejtësisë.

“Jam i lumtur të konstatoj se Kosova është lidere në rajon për të mbrojtjen e viktimave të krimit, këtë e tregon më së miri me ligjin të cilin e kemi bërë, ligji për kompensimin e viktimave të krimit, i cili synon të ju dal në krahë individëve më të cenueshëm në shoqëri si gratë, fëmijët dhe viktimat e trafikimit”, tha Thaçi.

Ai po ashtu tha se do të kërkohet drejtësi edhe për viktimat e dhunuara gjatë luftës.

“Falënderoj të gjitha viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që kanë marrë guximin t’i shprehin ato. Ne jemi në fazën finale të dialogut por kjo nuk do të thotë që nuk do të kërkojmë drejtësi për krimet e bëra. Do të kërkohet drejtësi për secilin prej tyre”, tha Thaçi.

Blerim Isufaj, nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, tha se me mbrojtjen e viktimave fuqizohet shteti dhe kthehet besimi i qytetarëve në drejtësi.

Ndërsa, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se institucionet e Kosovës kanë ndërtuar mekanizma më të mira në rajon për mbrojtjen e viktimave.

“Kosova është  vendi i parë në rajon që ka ndërtuar mekanizma ligjor për mbrojtjen e viktimave tyre. Unë si ministër jam këtu që bashkë më institucionet e tjera t’iu dalim në ndihmë viktimave në dy aspekte: më krijimin e kushteve juridike sociale dhe sensibilizimin e qytetarëve si dhe viktimat të jenë në dijeni për të drejtat e tyre”, tha Tahiri.

Ushtruesja e detyrës së ambasadorit së ShBA-së, Colleen E. Hyland  tha se ShBA do t’i përkrah iniciativat për parandalimin e krimit.

“Fakti që Kosova po shënon në rutinë këtë ceremoni tregon për rëndësinë që i kushtohet viktimave. Të gjithë supozojmë që familjet i mbështesin anëtarët e vet dhe prindërit i rritin fëmijët e vet, kur ka dhunë në familje kjo lë shenja permanente. Ambasada e ShBA ka kontribuar në mënyrë domethënëse në parandalimin e dhunës në familje në Kosovë. Kemi kërkuar që dhuna në familje të trajtohet si kategori prioritare. Këtë vit Kosova ka vrasje tragjike si pasojë e dhunës në familje. Shpresoj që konferencat e viteve të ardhshme do të jemi duke folur për sukseset e parandalimit të dhunës”, është shprehur Hyland.

Menaxheri i Zyrës për Mbrojtjen dhe Ndihmën e viktimave, Basri Kastrati, tha se numri i viktimave të dhunës po shtohet derisa theksoi që kjo rrit përgjegjësinë e institucioneve për t’u dal në mbrojtje.

“Në Kosovë një numër i ndjeshëm i viktimave të krimit kanë nevojë për ndihmë. Gjatë vitit 2017, 1374 raste janë lajmëruar për dhunë, 1081 raste janë të dhunës në familje, 57 prej tyre kanë kërkuar urdhër mbrojtje. Kjo na jep një përgjegjësi të madhe në mënyrë qe të jemi sa më profesionist. Fokusi ynë do të jetë në ligjin për kompensim të viktimave dhe në ligjin për dhunë në familje. Rëndësia e kompensimit të viktimave të krimit shihet edhe në mirëqenien sociale të tyre. Neve si institucione duhet të bëjmë sa më shumë në informimin dhe sensibilizimin për viktimat e krimit”, tha ai.

“Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit” po mbahet për 9 vite me radhë ndërkaq konferenca do të vazhdojë edhe ditën e nesërme.