Haki Rugova, LDK, Istog. Foto: Kallxo.com

Raportimi i “Drejtësia në Kosovë”, Prokuroria Ngrit Aktakuzë ndaj Haki Rugovës

Rreth tre muaj pasi Prokuroria Themelore në Gjakovë kishte nisur hetimet ndaj kryetarit të Istogut, Haki Rugova, këto hetime kanë rezultuar me aktakuzë.

Lajmin për ngritjen e aktakuzës për KALLXO.com e konfirmoi kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ali Selimaj.

“Po është ngritur aktakuzë, vepra është konflikt i interesit ndërsa është dorëzuar në Gjykatën Themelore të Pejës”, tha Selimaj.

KALLXO.com kishte raportuar në janar të këtij viti se Prokuroria Themelore në Gjakovë kishte nisur hetimet ndaj Haki Rugovës bazuar në kallëzimin penal të Agjencisë Kundër Korrupsion.

Në kallëzimin penal të kësaj Agjencie shpjegohej për dyshimet ndaj kryetarit të Istogut.

“Haki Rugova dyshohet se më 1 gusht 2014 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut me dashje ka marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës sipas aktivitetit të prokurimit ‘Ndërtimi i Kanalizimit Fekal në Fshatin Cerrcë-Lubozhdë- Faza e Parë”, thuhej në kallëzim.

http://kallxo.com/pas-raportimit-te-drejtesia-ne-kosove-nisin-hetimet-ndaj-kryetarit-te-istogut/

Aty më tutje tregohet se tenderin për ndërtimin e këtij kanalizimi e fitoi “’MA-CON’ sh.p.k, në pronësi të Gani Rugovës, në vlerë prej 289,119.85 euro, kështu duke mundësuar interes financiar për të [Haki Rugovën] dhe personin juridik që ka të bëjë me të”.

Sipas kallëzimit të Agjencisë Kundër Korrupsion informacionet kjo Agjenci i kishte marrë nga BIRN dhe Internews Kosova pasi që ky rast ishte raportuar në platformën për raportim të korrupsionit KALLXO.com.

“Agjencia Kundër Korrupsionit më 11 gusht 2017, ka pranuar informacionin nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ‘BIRN’ dhe ‘Internews Kosova’ kundër Haki Rugovës për shkak të mundësisë së veprës penale: konflikt i interesit”, thuhej në arsyetimin e kallëzimit penal të agjencisë.

Fillimisht kjo lëndë ishte dërguar në Prokurorinë Themelore të Pejës por ajo është deleguar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë nga Prokuroria e Pejës për të qenë një hetim i pavarur me arsyetimin se prokurori i rastit në Pejë, Haxhi Sinani njihet personalisht me të dyshuarin dhe është në raporte shoqërore me të njëjtin.

“Drejtësia në Kosovë”, kishte raportuar ekskluzivisht për këtë rast ndërsa linkun mund ta gjeni këtu.