Konferenca e Rrjetit të Grave të Kosovës

Raporti i Rrjetit të Grave të Kosovës : Diskriminim i theksuar i grave në punë

Shanset për të përjetuar diskriminim me bazë gjinore në punë janë 2.8 herë më te mëdha për gratë në Kosovë sesa për burrat.

Kjo ka qenë njëra prej gjetjeve te raportit “Diskriminimi me Bazë Gjinore dhe Punësimi në Kosovë” të prezantuar sot nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

“Ndonëse garancitë kushtetuese si dhe korniza ligjore në përgjithësi, bazohen në standardet më të mira ndërkombëtare dhe përçojnë vlerat dhe parimin e trajtimit të barabartë mes dy gjinive, gratë dhe vajzat në Kosovë, vazhdojnë të jenë mes dy realitetesh, atij juridik dhe atij faktik”, thuhet në raportin e Rrjetit të Grave të Kosovës.

Raporti, po ashtu parasheh edhe disa rekomandime për ndryshimin e legjislacionit për të përmirësuar gjendjen mbi diskriminimin e grave në punësim.

“Rëndësia e ndryshimit të Ligjit të Punës, Ligjit për Barazi Gjinore dhe Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për të zvogëluar mbivendosjen, qartësimin e procedurave dhe qartësimin e sanksioneve për diskriminim gjinor”, thuhet në raport.

Nevoja për mbledhjen dhe mbajtjen e të dhënave për gratë nga institucionet dhe shtimi i numrit të inspektorëve të punës, është një tjetër rekomandim që u shpalos gjatë prezantimit.

“Nevoja për më shumë inspektorë të punës, veçanërisht gra, të cilat janë trajtuar për njohjen dhe trajtimin e diskriminimit gjinor në punë”, thuhet tutje.

Po ashtu, raporti rekomandon një bashkëpunim më të thellë ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile duke përfshirë edhe sindikatat.

Ndërsa, Edi Gusia, Kryesuese e Agjencisë për Barazi Gjinore në kuadër te Zyrës së Kryeministrit, tha se ligjet në vend parashohin përfaqësim të njëjtë në mes grave dhe burrave.

“Ligji për Barazi Gjinore i amandamentuar në qershor të vitit 2015, kërkon përfaqësim dhe pjesëmarrje të barabartë në nivel përfaqësimi prej 50%”, deklaroi Gusia.

Hulumtimi u bë gjatë vitit 2018 në bashkëpunim të Rrjetit të Grave, Bashkimit Evropian, Agjencinë për Barazi Gjinore dhe Avokatin e Popullit.  Ky projekt është rajonal dhe përfshinë gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor.