Pamje nga selia e Komisionit Evropian në Bruksel - Foto: REL/Reuters

Raporti i Progresit për Kosovën kritikon numrin e madh të zëvendësministrave dhe taksën ndaj Serbisë

Komisioni Europian sot ka publikuar Raportin e Progresit për vitin 2019 për vendet që synojnë integrimin në Bashkimin Europian, duke mos lënë anash as Kosovën.

Sipas Raportit, Kosova ka shënuar progres në disa fusha, por vendi kritikohet për tarifën 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

“Komisioni kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të heqë tarifën, sepse ajo ka dëmtuar përpjekjet e suksesshme të bashkëpunimit rajonal, veçanërisht krijimin e një zone ekonomike rajonale (REA), dhe duhet të revokohet”, thuhet në raport.

Komisioni po ashtu përmes Raportit konfirmoi dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe kërkoi nga Këshilli Europian që të trajtohet kjo çështje me urgjencë.

Tutje Komisioni Europian ka kritikuar edhe numrin e madh të zëvendësministrave në Qeverinë e Kosovës.

“Sa i përket kriterit politik, madhësia e tepërt e qeverisë, duke përfshirë rritjen e mëtejshme të numrit të zëvendësministrave, ka vazhduar të ndikojë në besueshmërinë dhe efektivitetin e saj. Reforma shumë e nevojshme e administratës publike ka pasur disa përparime. Megjithatë, janë të nevojshme përpjekje serioze për të trajtuar ndikimin politik në rekrutimin e nëpunësve të lartë civilë”, thotë Komisioni.

Komisioni Europian vlerësoi ligjet e qeverive për harmonizimin e pagave dhe punës së sektorit publik, për të cilin shumë sektorë kishin protestuar me muaj në fillim të vitit.

“Sa i përket sistemit gjyqësor, Kosova është ende në fazën e hershme të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Drejtimi i drejtësisë mbetet i ngadalshëm dhe joefikas dhe institucionet e sundimit të ligjit kërkojnë përpjekje të vazhdueshme për të ndërtuar kapacitetet e tyre. Kosova ka një nivel të përgatitjes lidhur me lirinë e shprehjes”, thuhet tutje në raport.

Komisioni thekson se sa i përket kriterit ekonomik, kriterit të fundit të Kopenhagës, Kosova ka bërë disa përparime në zhvillimin e një tregu funksional.

“Ambienti i biznesit është përmirësuar disi, por mbeten sfida të vazhdueshme, duke përfshirë ekonominë joformale të përhapur, një gjyqësi të ngadaltë dhe joefikase, mbizotërim të lartë të korrupsionit dhe institucione të dobëta të sundimit të ligjit”, është thënë në Raportin e Progresit për vitin 2019.

Krejt në fund nuk u lë anash pa u përmendur as dialogu Kosovë-Serbi.

“Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Kosova ka mbetur e angazhuar në dialog, megjithatë tarifat 100% duhet të hiqen, me qëllim të krijimit të një mjedisi të përçueshëm për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë”, thuhet në Raport.