Pamje nga selia e Komisionit Evropian në Bruksel - Foto: REL/Reuters

Raporti i Progresit: Kosova, Pak Përparime e Shumë Ngecje

Komisioni Europian do ta publikojë të martën, më 17 prill, në Strasburg, Raportin e Progresit për vendet që synojnë integrimin në Bashkimin Europian.

Në Prishtinë, pritjet e Qeverisë së Kosovës, partive opozitare dhe analistëve nuk janë të mëdha.

Ky dokument është pjesë e paketës vjetore të zgjerimit të Bashkimit Europian ku pritet të tregohet përparimi që kanë bërë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia, në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.

Halil Matoshi, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj tha për Radion Evropa e Lirë se pritjet janë që Raporti i Progresit, pjesa për Kosovën për vitin 2017, të jetë më pozitiv sesa ai i vitit paraprak. Por, ai e pranon se endet mbetet punë për t’u bërë, në veçanti në forcimin e sundimit të ligjit.

“Realisht Raporti i përmbush praktikisht deri në një masë të caktuar pritjet e Qeverisë. Janë disa fusha ku evidentohet progres i madh i Kosovës, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, shpallja e aktakuzave për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, pastaj paketa e ligjeve si Kodi i ri Penal, lavdërohet progresi i Kosovës në fushën e lirisë së mediave dhe në lehtësirat e të bërit biznes dhe në disa fusha specifike. Por, ende mbetet punë për të bërë në disa fusha të tjera, siç është Ligji për financimin e partive politike dhe aktvendimet e shkallës së fundit gjyqësore”, thotë Matoshi.

Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Europiane tha për Radion Evropa e Lirë se nuk mund të pritet një raport i mirë për Kosovën, pasi që siç thotë ai, janë shënuar ngecje në shumë aspekte.

“Tanimë vetëm ka indikacione që Raporti për Kosovën nuk do të jetë më i miri dhe do të jetë në vijë me raportet e mëhershme, e edhe qasja do të jetë e njëjtë. Nëse ka arritur të evidentohet në këtë Raport ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit më Malin e Zi, atëherë do të jetë diçka e mirë. Përndryshe, në përgjithësi Kosova ka ngecur në shumë aspekte si rrjedhojë që kemi pasur zgjedhje të parakohshme, pastaj vonesa në themelimin e institucioneve e të tjera, të gjitha këto e kanë penguar që të kenë një vlerësim më të mirë”, tha Ujkani.

Sipas tij, Kosova duhet të ketë një qasje më korrekte dhe pragmatike dhe të mos neglizhojë gjetjet në Raportin të Progresit, pasi që kjo do të vonojë procesin e agjendës europiane për Kosovën.

Ndërkohë, Raporti i Progresit i Komisionit Europian pjesa për Kosovën nga deputetët e partive opozitare në Kosovë nuk pritet të jetë pozitiv.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Avdullah Hoti në seancën e Kuvendit të Kosovës ka theksuar se Raporti i Progresit i Komisioni Europian do të përfshijë edhe aktakuzat ndaj ministrave, e që sipas tij, është mjaft shqetësuese.

Në Qeverinë e Kosovës janë dy ministra të për të cilët Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuza.

Ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekajt, i cili aktualisht është ministër i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, i është ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Paraprakisht, një aktakuzë në lidhje me rastin e njohur si “Pronto” është ngritur edhe kundër ministrit të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj.

Në draft dokumentin e Komisionit Europian që e ka parë Radio Evropa e Lirë thuhet se rruga e Prishtinës zyrtare drejt BE-së është e komplikuar, për shkak të mosnjohjes së pavarësisë nga pesë vendet e BE-së: Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

Në dokument thuhet se Qeveria dhe Kuvendi i ri “duhet të shtyjnë përpara reformat që lidhen me BE-në, t’i vë ato prioritet dhe të ndërtojë konsensus në çështjet strategjike për Kosovën”.

Komisioni Europian, sipas këtij draft dokumenti, thuhet se do t’i rekomandojë Bashkimit Europian që të nisë negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Sa i përket Serbisë, Komisioni thotë se Beogradi duhet të forcojë përpjekjet për të krijuar mjedis për lirinë e shprehjes, veçanërisht në forcimin dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor.

Aty po ashtu thuhet qartë se përveç reformave në gjyqësor, një çështje që përcakton ritmin e Beogradit drejt BE-së është procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, që ndërmjetësohet nga BE-ja që prej vitit 2011.

Ndryshe, Raporti i Progresit i vitit 2016 pati ngritur shumë vërejtje për punën e institucioneve të Kosovës. Aty u patën ngritur shqetësime në lidhje me përplasjet e vazhdueshme në Kosovë mes të partive politike në pushtet dhe opozitë. (REL)