Raporti i komisionit: 31 shkeljet ligjore gjatë dëbimit të ‘gylenistëve’

Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq në bazë të punës së deri tanishme ka arritur që ti evidentoj 31 shkelje ligjore në planin 17 ditorë të AKI-së në këtë operacion.

Dokumenti ekskluziv të cilin e ka siguruar KALLXO.com është lista e 31 shkeljeve, parregullsive dhe mospërputhjeve me Kushtetutën, ligjeve, akte nënligjore, procedura standarde dhe instrumente ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, në rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

  1. Duke zbatuar me automatizëm kërkesën e Agjencisë së Kosovës për inteligjencë (AKI) për revokimin e lejeqëndrimeve të shtetasve turq, pa shqyrtuar nëse informacionet e ofruara prej AKI-së plotësonin kriteret ligjore për të qenit ‘kërcënim ndaj sigurisë kombëtare’, departamenti për Shtetësi Azil dhe Migrim (DSHAM0, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme ka shkelur nenin 5 të Ligjit Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
  2. Dëbimi i Hasan Huseiyn Gunakan, pa kurrfarë urdhri të ligjshëm, paraqet shkelje të nenit 55, par.1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;, nenit 1 par.1 të Protokolloit Nr.7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenit 13 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike.
  3. Fakti që nuk është kërkuar zyrtarisht kthimi i z. Gunakan në Republikën e Kosovës pas dëbimit të tij të gabuar. Përbën shkelje të nenit 25, par.1 dhe 2 të Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 09/2014 për Kthimin e të Huajve me Qëndrim të Paligjshëm ne Republikën e Kosovës.
  4. Duke marrë pjesë në operacionin për dëbimin e gjashtë shtetasve turq, I cili nuk kishte për qëllim mbledhjen e informacioneve, zyrtarët e AKI-së kanë tejkaluar fushëveprimin ligjor të AKI-së të përcaktuar me nenin 2, par.1 të Ligjit 03/L-063 për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
  5. Mungesa e një memorandum të bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe AKI-së, që trajton posaçërisht koordinimin e operacioneve të përbashkëta, paraqet shkelje të nenit 8, par.2 të Ligjit për AKI, si dhe shkakton pasiguri juridike dhe mbrojtje jo të mjaftueshme të të drejtave të njeriut.
  6. Drejtoria për Migrim dhe të Huaj (DMH), në kuadër të Policisë së Kosovës, ka nxjerrë urdhra për largimin me forcë të gjashtë shtetasve turq, pa plotësuar asnjërin prej kushteve të përcaktuara me nenin 97, par.1 të Ligjit Nr. 04/l-2019 për të huajt.
  7. Urdhërat për largim me forcë u nxorën në bazë të nenit 6 dhe nenit 99, par.2 të Ligjit për Huajt, edhe pse asnjëra prej këtyre dispozitave, sipas ligjit nuk mund të shërbejë si bazë për nxjerrjen e këtij lloji urdhëri.
  8. Forma e urdhrave për largim me forcë nuk përputhej me kërkesat e nenit 97, par.8 të Ligjit për të Huajt, I cili përcakton se : “Të huajit i komunikohet në formë të shkruar, në njërën nga gjuhët zyrtare dhe në gjuhen angleze, …duke i shpjeguar… vendin ku (urdhri) do të ekzekutohet dhe mënyrën e transportimit të tij për në vendin e destinacionit.
  9. Disa zyrtarë policorë nuk kanë informuar shtetasit turq për të drejtat e tyre për mbrojtje ligjor dhe për të kontaktuar me anëtarë të familjes. Ky mos njoftim paraqet shkelje të Kodit Nr. 04/L-123 të Procedurës Penale, neni 13, par1 dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 29 par.2 dhe 3.
  10. Disa zyrtarë të tjerë policorë nuk morën masa të duhura për t’i informuar shtetasit turq lidhur me të drejtat e tyre në gjuhën turke, edhe pse këta zyrtarë kishin vërejtur vetë se disa prej shtetasve turq nuk kuptonin gjuhën shqipe. Kjo paraqet shkelje të nenit 13, par1. Rë Kodit të Procedurës Penale dhe neni 29, par2. Dhe 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
  11. Gjashtë shtetasve turq nuk iu ofrua këshillim për përfaqshim juridik, gjë që paraqet shkelje të Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2014 për Kthimin e të Huajve me Qëndrim të Paligjshëm në Republikën e Kosovës neni 12, par. 6.
  12. DShAM-ja, duke mos u angazhuar në operacionin e dëbimit, nuk ka kryer obligimin e saj për të siguruar fletudhëtime për shtetasit turq që nuk I posedonin dokumentet të udhëtimit. Kjo paraqet shkelje të nenit 8, par1. Dhe 3. Të Ligjit për të Huajt.
  13. Divizioni për Riparim dhe Kthim (DRK) në kuadër të DShAM-së, duke mos u angazhuar në operacionin e dëbimit, nuk ka kryer obligimin e tij për të vërtetuar identitetin e shtetasve turq që nuk posedonin dokumente të identifikimit. Kjo paraqet shkelje të nenit 30 të Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2014 për Kthimin e të Huajve me qëndrim të paligjshëm në Republikën e Kosovës.
  14. DRK-ja duke mos u angazhuar në operacionin e dëbimit nuk ka kryer obligimin e tij për të organizuar transportin e gjashtë shtetasve turq. Kjo paraqet shkelje të nenit 32 të Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2014 për Kthimin e të Huajve me Qëndrim të Paligjshëm në Republikën e Kosovës.
  15. DShAM-ja, duke mos u angazhuar në operacionin e dëbimit, nuk ka kryer obligimet e saj të përcaktuar me nenin 37 të Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2014 për Kthimin e të Huajve me Qëndrim të Paligjshëm në Republikën e Kosovës, duke mos përfshirë koordinimin e eskortës së sigurisë, dhënien e ndihmës personale për kthim dhe sigurimin e shoqërimit mjekësor.
  16. Për shkak të mos angazhimit të DRK-së, nuk është marrë parasysh dëshira e z. Mustafa Erdem I cili posedon nënshtetësi të Shqipërisë, për t’u kthyer në shtetin ku dëshironte. Kjo paraqet shkelje të nenit 17, par. 6 të Udhëzimit Administrativ 09/2014 për Kthimin e të Huajve me Qëndrim të Paligjshëm në Republikën e Kosovës.
  17. Duke mos future të dhënat e gjashtë shtetasve turq në Sistemin e Menaxhimit Kufitar për hyrje dhe dalje, zyrtarët policorë kanë vepruar në kundërshti me Procedurën Standarde të Operimit për Sistemin e Menaxhimit Kufitar (DOK-05/001/2017, 25 qershor 2017)
  18. Duke mos kontrolluar dokumentet e udhëtimit të gjashtë shtetasve turq, zyrtarët policorë kanë shkelur nenin 15, par.2 të Ligjit Nr. 04/L-072 për Kontrollin e Kufirit shtetëror.
  19. Zyrtarët policorë vendosën që të lehtësohej kontrollimi kufitar në rastin e gjashtë shtetasve turq, edhe pse nuk plotësoheshin kushtet ligjore për lehtësim të tillë, të përcaktuara me nenin 16, par.1 dhe 2 të Ligjit për Kontrollin e Kufirit Shtetëror.
  20. Duke vendosur vulën katrore në urdhrat për largimin me forcë, të cilët nuk përbënin as dokumente të identifikimi, as dokumente udhëtimi, zyrtarët policorë kanë shkelur nenin 17, par.1 të Ligjit për Kontrollin e Kufirit Shtetëror.
  21. Dëbimi i gjashtë shtetasve turq në një vend ku kishte rrezik real që ata do t’I nënshtroheshin torturën ose dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese, paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare zakonore; nenit 3, par. 1 të Konventës kundër Torturës dhe Trajtimeve e Ndëshkimeve të Tjera Mizore, Jonjerëzore dhe Poshtëruese dhe nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
  22. Duke i paraqitur Ministrisë së Infrastrukturës të dhëna të rrejshme lidhur me numrin e pasagjerëve me qëllimin e fluturimit, kompania ajrore Birlesik Insaat ka shkelur R4regylloren (MI) Nr. 02/2015 për Aprovimin e Fluturimeve Charter dhe Taxi Jo-HPEA, neni 10, par1.
  23. Bashkëpunimi joefikas ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë Kufitare, ka rezultuar ne mos ndjekjen e procedurave ligjore për ndëshkimin e kësaj kompanie ajrore. Këto procedura janë të përcaktuara me nenin 97, par.2 të Ligjit 03/L-051 për Aviacionin Civil.
  24. Duke mosnxjerrë vendimin përfundimtar lidhur me aplikimin e z. Osman Karakaya për vazhdimin e lejeqëndrimit, DSHAM-ja ka shkelu nenin 44, par 1. Të Ligjit për të Huajt.
  25. Mosnxjerrja e vendimit përfundimtar në rastin e z. Karakaya gjithashtu e ka privuar atë nga e drejta e ankimimit, e garantuar me nenin 6, par 3 të Ligjit për të Huajt.
  26. Duke mos marrë masat e duhura, deri në ditën e dëbimit, për të njoftuar shtetasit turq lidhur me revokimin e lejeqëndimrve të tyre, DSHAM-ja e ka bërë të pamundur që ata të kontestonin këto revokime. Kjo paraqet shkelje të nenit 208, par.3 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
  27. Duke përzier elemente të urdhrit për largimin me forcë dhe urdhrit të dëbimit, DMH-ja ka kufizuar maksimalisht mundësinë e gjashtë shtetasve turq për të ushtruar të drejtën e ankimimit. Kjo përzierje e dy urdhrave të ndryshëm nuk parashikohet askund me Ligjin për të Huajt, apo në ndonjë akt tjetër normativ, dhe, rrjedhimisht, ka qenë e kundërligjshme.
  28. Duke qenë se të gjithë prej gjashtë shtetasve turq jetonin në Republikën e Kosovës me anëtarë të ngushtë të familjes, dëbimi i tyre përpara ushtrimit të së drejtës së ankimimit, paraqet shkelje të së drejtës për respektimin e jetës familjare, sipas nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenit 36, par. 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lexuar bashkë me nenin 13 të Konventës dhe nenin 32 të Kushtetutës.
  29. Gjashtë shtetasit turq u dëbuan përpara ushtrimit të së drejtës së ankimimit, edhe pse ekzistonin arsye të forta të sigurisë kombëtare për t’i dëbuar përpara ushtrimit të kësaj të drejte, si dhe nuk ekzistonte ndonjë domosdoshmëri tjetër për një masë të tillë. Kjo paraqet shkelje të nenit 13 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, dhe nenit 55, par.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
  30. Fakti që shtetasit turq nuk u informuan lidhur me bazat faktike mbi të cilat u ishin revokuar lejeqëndrimet, ka penguar ushtrimin e së drejtës së ankimimit në muajt pas dëbimit të tyre, duke paraqitur shkelje të nenit 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe nenit 1, par. 2 të Protokollit Nr. 7 të Konventës.
  31. Duke mos informuar Prokurorinë e shtetit lidhur me dyshimet që gjashtë shtetasit turq po kryenin apo kishin kryer vepër penale, AKI-ja ka shkelur nenin 25, par.2 të Ligjit për AKI.

Detaje nga raporti i ekspertit amerikan Tienmu Ma

KALLXO.com ka raportuar sesi dëbimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova nuk ishte i rastësishëm,  institucionet e Kosovës për ta organizuar këtë plan me 31 shkelje ligjore, kanë punuar 17 ditë.

Ndonëse për këtë plan të painformuar ishin deklaruar krerët e shtetit, kryeministri Ramush Haradinaj, presidenti Hashim Thaçi si dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

Në bazë të raportit të ekspertit amerikan Tienmu Ma, të siguruar nga KALLXO.com plani  kishte filluar që nga 12 marsi  kur një zyrtar i AKI-së kishte shkuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme konkretisht në Departamentin për Shtetësi Azil dhe Migrim për të kontrolluar dosjes e gjashtë shtetasve turk.

Përveç kësaj KALLXO.com ka raportuar edhe për përfshirjen e ish-shefit të AKI-së, Driton Gashit në aksionin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

Gashi ishte shkarkuar nga pozita e shefit të AKI-së pak ditë pas ngjarjes për t’u strehuar më pas në kabinetin e presidentit Hashim Thaçi ku edhe sot punon.

Sipas raportit, pas 17 ditë planifikimi të operacionit, gjashtë shtetasit turk të dëbuar nga Kosova janë dorëzuar tek autoritetet turke në prani të ish shefit të AKI-së, Driton Gashi.

Në dokumentin e siguruar nga KALLXO.com thuhet se në orën 10:09 ka përfunduar kontrolli i shtetasve turk në zonën VIP të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

“Në këtë kohë prezent ishin shefi i njësisë së emigracionit, zyrtarët e DMH-së (Drejtoria për Migrim dhe të Huaj) dhe Drejtori dhe zyrtarët nga AKI,” thuhet në rrjedhën e ngjarjeve të raportit të parë nga KALLXO.com.

Sipas këtij raporti, në orën 10:25 ka filluar transportimi i shtetasve turk nga policia deri tek aeroplani i autoriteteve turke, ndërsa në orën 19:42 ka përfunduar dorëzimi, kurse në orën 10: 50 aeroplani është nisur në Turqi.

Reagimet e ambasadave dhe krerëve shtetëror për 31 shkeljet e evidentuara

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka reaguar për 31 shkeljet ligjore të cilat, sipas Komisionit hetimor parlamentar, i ka bërë Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) gjatë dëbimit të gjashtë shtetasve turq në mars të vitit të kaluar.

Përmes një komunikate për media Ambasada amerikane ngre dyshime mbi AKI-në pas raportimit për ‘gylenistët’

“Gjetjet e komisionit, të cilat sugjerojnë në 31 shkelje ligjore ose procedurale nga ana e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve tjera, ngrenë shqetësime rreth mashtrimit nga ana e agjencive kryesore të sigurisë, si dhe ndjeshmërinë e sektorit të sigurisë ndaj manipulimit politik” thuhet në komunikatë.

Ky reagim i ambasadës së SHBA-ve u mbështet edhe nga ambasada e Britanisë së Madhe si dhe ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.

Përveç ambasadave edhe kreu i qeverisë, Ramush Haradinaj reagoi për shkeljet ligjore të bëra në rastin e ‘gylenistave’ , duke thënë që askush nuk është mbi ligjin.

“Hapat e ndërmarrë nga ekzekutivi janë garantues se në situata të ngjashme ne do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjeve të Kosovës. Pa asnjë paragjykim, sundimi i ligjit do të jetë rruga jonë e vetme. Zbardhja e të vërtetës, përgjegjësve dhe shmangieve ligjore do t’i ndihmonin ndërtimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë institucion i Kosovës nuk do të shkelë mbi të drejtat universale të njeriut”, ka theksuar ai.

Ndërsa Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë që ky rast e dëmton rrugën evropiane të Kosovës.