Tomas Njoki, Zyra e BE-së në Kosovë. Foto: Kallxo.com

Raportet Financiare të Partive Politike Nuk e Bindin BE-në

Në emisionin e sontëm “Jeta në Kosovë”, përfaqësusi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Njoki, tha se raportet financiare të subjekteve politike nuk janë audituar që tri vite.

I pyetur nëse është i lumtur për këto raporte, ai tha se ka zbrazëtira.

“Ne jemi duke shikuar këtë çështje, duke bërë analizat tona mbi to po ashtu, por çfarëdo përfundimi definitiv rreth këtyre raporteve do të duhej të pritet deri në auditim, e ky i fundit është një problem shumë i madh në vetvete. Këto raporte nuk janë audituar gjatë tri viteve të fundit”, tha Njoki.

Për mungesën e deklaratave për donacionet private Njoki tha se ky është problemi me i marr që kanë vërejtur gjatë analizës së raporteve financiare të subjekteve politike.

“Kjo është një çështje që e kemi vërejtur edhe ne, e që është ndoshta një nga problemet më të mëdha që kemi vërejtur gjatë analizës sonë deri më tani, pra mungesa e detajeve sa u përket donatorëve. Kjo është një pikë kyçe e deklaratave financiare ngase pjesa e të hyrave që vijnë nga fondet publike është shumë lehtë të kuptohet, por pjesa tjetër e ekuacionit është më e rëndësishme. Besoj, që ne duhet të vazhdojmë të vëzhgojmë dhe shikojmë këtë çështje. Nuk mund të them se çfarë do të theksojmë apo shënojmë, mirëpo siç e thashë ky është një element i rëndësishëm i deklaratave financiare dhe në përgjithësi ne do të vazhdojmë ta shikojmë këtë çështje në detaje”, tha Njoki për emisionin “Jeta në Kosovë”.

Deklaratën e Tomas Njokit mund ta shikoni në linkun e mëposhtëm:

Raportet financiare të publikuara nga partitë politike mund t’i gjeni në linqet e mëposhtme:

Raportet financiare të PDK-së

Raportet financiare të LDK-së

Raportet financiare të NISMA-s

Raportet financiare të Vetëvendosje-s