Pamje nga një mbledhje e Kryesisë së Kuvendit - Foto: Kuvendi i Kosovës

Ramush Haradinajn e Presin Edhe Tri Interpelanca

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet sot për të diskutuar për rendin e ditës për seancën e radhës së Kuvendit.

Në rend të ditës janë 19 pika të popozuara në mesin e të cilave edhe ftesat për tri interpelanca me kryeministrin e Kosovs, Ramush Haradinaj.

Në këtë mbledhje do të shqyrtohen: Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me reduktimet e ashpra të furnizimit me energji elektrike dhe situatën  në sektorin e energjisë; Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës nr.02/34, të datës 05.03.2018, për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej një milion euro për KOSTT-in për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të katër komunave në veri të Kosovës; Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupi Parlamentar “Deputetët e Pavarur”, në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes komerciale ndërmjet kompanisë “Contour Global” dhe Qeverisë së Kosovës për projektin e Termocentralit “Kosova e Re” të nënshkruar me 20 dhjetor 2017; Shqyrtimi i Projektligjit nr. 06/L-061 për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë mbi transferimin e personave të dënuar; Shqyrtimi i parë i Projektligjit për veprimtaritë hidrometeorologjike; Shqyrtimi i parë i Projektligjit për gjykatat; Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-036 për statistikat zyrtare të Republikës së Kosovës; Shqyrtimi i parë i Projektligjit për këshillin e pavarur mbikëqyrës për shërbimin civil të Kosovës; Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës; Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës; Shqyrtimi i Raportit të operatorit  të sistemit, transmisionit dhe tregut-KOSTT sh. A; Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e gjashtë (6) anëtarëve të Bordit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit; Zgjedhja e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës; Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave; Marrëveshja e kryetarëve të dy grupeve parlamentare: Lëvizjes Vetëvendosje dhe Grupit të deputetëve të pavarur për kryesimin e komisioneve parlamentare, si dhe përfaqësimin me anëtarë në komisionet parlamentare; Formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e një (1) anëtari të Komisionit të Pavarur për Media.