Ramush Haradinaj Padit në Gjykatë Gazmend Muhaxherin

Avokati mbrojtës i Ramush Haradinajt, Arianit Koci, sot në Gjykatën Themelore të Pejës, ka  deponuar sot padinë kundër Kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherit.

Koci tha se padia ka të bëjë për ‘shpifje dhe të pavërteta’ të thëna nga Gazmend Muhaxheri në drejtim të Ramush Haradinajt.

“Unë besoj që gjuha të cilën e ka përdorë, shpifjet dhe të pavërtetat që i ka plasuar z. Muhaxheri janë të papranueshme. Kjo gjuhë politike është gjuhë e urrejtjes dhe e kontaminon pa nevojë skenën politike. Besoj në gjykata dhe kjo prej Gjykatës në Pejë do trajtohet me seriozitetin e duhur”, tha avokati Koci.

Ai tha së ne padi janë të përfshira vetëm deklarata e fundit të Gazmend Muhaxherit të cilat kanë mjaftuar të t’u ngritur padi. Sipas tij, në rastin e Gazmend Muhaxherit ekziston një situatë e pastër juridike.

“Janë dy momente juridike: ose po shpif e po gënjen z. Muhaxheri ose informatat të cilat i ka kinse për krime e kryera ai ka pasur obligim qytetar t’i deponojë në prokurori dhe polici”, tha avokati i Ramush Haradinajt.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me Kryetarin e Pejës Gazmend Muhaxherin, mirëpo një gjë e tillë ishte e pamundur gjatë ditës sepse ai nuk gjendje ne zyre dhe nuk përgjigjej në telefonata.

Muhaxheri, para disa ditëve, ka akuzuar Haradinajn se pavarësisht se “ende po bën para duke kontrolluar biznesin e naftës dhe lojërave të fatit” në Pejë.

Lidhur për këto deklarata, sot gjatë konferencës për media të degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Pejë ka reaguar edhe kryetari Naim Sahiti.

Sahiti tha se Muhaxheri është duke vazhduar me shpije dhe akuza ndaj AAK-së dhe kryetarit të saj, vetëm për t’i “minimizuar dëmet që po bëhen me marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi”.

Kreu i opozitës në Pejë tha se deklaratat e Muhaxherit nuk janë qëndrime të anëtarëve të LDK-së.

“Është me rëndësi të theksohet se ato që po i shpif kryetari i Komunës nuk janë mendim i anëtarëve të LDK-së, por janë mendime të tij personale andaj edhe turpin duhet ta mbajë vetë”, tha Sahiti.