Ramush Haradinaj në Deçan. Foto: Kallxo.com

Ramush Haradinaj: Nuk i Blejmë Vizat Duke Dhënë Tokë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka treguar edhe një herë vendosmëri për të mos e mbështetur marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, të nënshkruar në vitin 2015.

Në një vizitë në komunat e Junikut e Deçanit, Haradinaj tha se është i interesuar për liberalizim të vizave, por jo me kushtin të cilin ai e interpretoi para deçanasve si “shitje të tokës”, duke iu referuar dyshimeve se me marrëveshjen aktuale, Kosova i humb mbi 8 mijë hektarë tokë të territorit të vet.

“Në liberalizimin e vizave, unë besoni e shoh ëndërr, mendoj dhe punoj për të non-stop që me ardhë ajo ditë. Nuk me vjen mirë që qytetari i vendit tim nuk e ka, jam i interesuar, po punoj. Po e kam një zor të madh: imagjinojeni mua ose Deçanin, pas krejt kësaj sakrifice për atë kush jemi e për ketë vend, me na u shkru që i kemi blerë vizat me tokë”, tha kryeministri.

Në këtë tubim në Deçan, Haradinaj foli edhe për iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, një ditë pasi një i afërt dhe ish bashkëluftëtar i tij, Nasim Haradinaj, e ofendoi ambasadorin amerikan në Kosovë, Greg Delawie, pas insistimit të tij që Kosova të heqë dorë nga përpjekjet për ta zhbërë këtë gjykatë.

“Janë disa tema që e kanë ndjeshmërinë e madhe edhe duhet m’i respektu të gjithë. Pra nuk bën me mohu ndjenjën e bindjen e askujt, duhet me respektu. E mbajmë përgjegjësi ta udhëheqim vendin më tutje edhe do ta bëjmë këtë. Ofendimet nuk duhet m’i praktiku askush, ai që e ka argumentin nuk ka nevojë me ofendu askënd. Nëse e ki argumentin, nëse je në të drejtë, s’ki nevojë me ofendu”, tha Haradinaj.