Ramush Haradinaj distancohet nga deklarata e deputetit të tij për punësimet partiake

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është distancuar nga deklarata e deputetit të partisë së tij, Alenca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shkumbin Demaliaj, për valën e punësimeve partiake nëpër institucionet dhe ndërmarrjet publike të Kosovës.

Gjatë ditës, në një mbledhje të një komisioni parlamentar, Demaliaj kishte thënë se “asnjë puntëor se kisha dashtë me u punësu jashtë anëtarëve të AAK-së”.

“Unë i qëndroj prapa deklartave që i kam thënë Frashër (Krasniqi) në një televizion se krejt i kisha punësu të AAK-së. Kqyrne LDK në Podujevë, asnjë mizë nuk guxon m’u punësu pa qenë e LDK-së”, tha Demaliaj.

Por Haradinaj, i cili është edhe kryetar i AAK-së, u distancua nga kjo deklaratë duke e arsyetuar deputetin e tij se “ndoshta ka qenë i nervozuar”.

“Distancohem prej kësaj deklarate. Duhet të punohet që të ketë punë për të gjithë. Nuk mendon as ai ashtu, nuk e di pse paska thanë, ndoshta ka qenë i nervozuar”, tha Haradinaj.