Ramiz Lladrovci pret në takim pronarin e ri të Ferronikelit

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur sot në takim pronarin e ri të Ferronikelit.

Ai, në një shkrim në Facebook, ka shkruar se Saimir Mane ka dëshmuar se është ndërmarrës i pashoq, i suksesshëm dhe plot energji.

Gjithashtu Lladrovci ka falenderuar  Manen për vizitën, duke i uruar për realizimin e projekteve të tij sa më shpejt në funksion të zhvillimit të Ferronikelit dhe fuqizimin e biznesit të tij në Drenicë.

“Takimi me z. Saimir Mane, pronarin e ri të Ferronikelit, dhe ardhja e tij në Komunë, ishte shumë inkurajues. Rikthimi i Ferronikelit, gjigandit të komunës tonë në burim të të mirave për mijëra familje dhe rikthimin e vëmendjes për investitorët tjerë potencial, është shumë premtues. Mane, ka dëshmuar se është ndërmarrës i pashoq, i suksesshëm dhe plot energji. Ne e përgëzuam për gjithë sukseset e tij në Shqipëri dhe jashtë saj, duke i ofruar mirëseardhje dhe sukses në komunën tonë. Unë i ofrova mbështetjen time të plotë, nga ana e komunës, duke theksuar se jemi shumë të interesuar për rivitalizimin e plotë të Ferronikelit, por edhe të shtimit të kapaciteteve prodhuese, ashtu siç është zotuar në opinion Z. Mane”, ka shkruar Lladrovci.

Po ashtu, ai ka thënë se e ka ftuar Manen të shohë mundësitë e investimeve në Parkun e ri të biznesit, ngase, sipas tij, punësimi i qytetarëve nga komuna jonë është prioritet.

“E falënderova Z. Mane për vizitën, duke uruar për realizimin e projekteve të tij sa më shpejt, në funksion të zhvillimit të Ferronikelit dhe komunës tonë, si dhe fuqizimin e biznesit të tij në Drenicë”, ka shkruar Ramiz Lladrovci.

Pronari i Ferronikelit , 51 vjeçari Samir Mane  është miliarderi i parë shqiptar e po ashtu edhe është president dhe pronar i grupit BALFIN, i cili është grupi më i madh i investimeve private në Shqipëri dhe në Europën Juglindore.

Ndryshe, Fabrika e Ferronikelit është përballur me krizë ekonomike edhe në vitin 2017.

Prodhimi u ndal me 13 mars pasi rreth 820 punëtorë dhe 250 kontraktorë ndërprenë punën si shkak i mospagesës nga ana e menaxhmentit të kësaj fabrike./21Media