Ramiz Lladrovci, PDK, Drenas. Foto: Atdhe Mulla

Ramiz Lladrovci hesht rreth akuzave të Sami Lushtakut

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, nuk ka dashur të komentojë akuzat që i bërë bashkëpartiaku i tij, Sami Lushtaku, i cili tha sonte se 4-5 njerëz të PDK-së kontrollojnë drejtësinë dhe çdo sferë të jetës në Kosovë.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Ramiz Lladrovci tha se si kryetar Komune dhe si anëtar i Kryesisë së PDK-së, zakonisht nuk i komenton deklaratat e personaliteteve rreth çështjeve të caktuara.

“Si kryetar Komune dhe anëtar i Kryesisë sipas mandatit, nga niveli i qeverisjes lokale, zakonisht nuk i komentoj as çështjen e organizimit, as diskutimin e personaliteteve rreth çështjeve të caktuara, as deklaratën e z. Lushtaku nuk e komentoj”, tha Ramiz Lladrovci.

Kryetari i PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, tha sonte se nuk do ta lëshojë postin e të parit të kësaj partie në këtë komunë, pavarësisht kërkesës së shefit të tij Kadri Veseli.

Lushtaku përmes një postimi në Facebook tha se ai është zgjedhur në këtë post nga votat e anëtarëve të PDK-së dhe se sipas tij, vetëm ata kanë të drejtë ta largojnë.

“Dëshiroj të sqaroj që unë së fundi jam zgjedhur Kryetar i Degës së PDK-së në Skenderaj me mbi 90% të votave nga delegatët e Kuvendit të Degës dhe pastaj anëtar i Këshillit Drejtues në Konventën e IX të PDK-së, në nivelin qendror. Mandatin ma kanë dhënë anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës nga të gjitha nëndegët dhe vetëm ata kanë të drejtë të më ndëshkojnë me votën e tyre për mospunën time”, ka shkruar ish-kryetari i Skenderajt.

Ai po ashtu tha se nuk ka ndonjë aktakuzë që lidhet me korrupsion e asnjë aferë me krim të organizuar.

“Sa për sqarim, nuk është e vërtetë që unë kam ndonjë aktakuzë që lidhet me korrupsion ose ndonjë aferë që lidhet me krim të organizuar apo shpërdorim të detyrës zyrtare. E vetmja aktakuzë, dhe të cilën as tash e tutje nuk e pranoj, lidhet me transferimin tim në organet e zbatimit të drejtësisë në veri, ku konsideroj se do të rrezikohej jeta ime”, ka thënë Lushtaku.

Ish-kryetari i Skenderajt tha se për PDK-në është mëshiruar dhe ka qenë pjesë që nga fillimi dhe se askush nuk e ka qëllimin që ta largojë.

“Nga partia duhet të largohen e të përjashtohen me turpin më të madh 4-5 persona, të cilët e kanë bllokuar Kosovën e PDK-në dhe të cilët kontrollojnë çdo gjë në Kosovë, drejtësinë, biznesin, mediat dhe sferat tjera vitale të vendit tonë, gjë që për veprimtaritë e tyre të pista dhe rrjetet që kanë ndërtuar janë të mirëinformuar edhe miqtë tanë ndërkombëtarë”, ka shtuar Lushtaku.