Ramiz Kelmendi: Paga minimale të jetë 300 euro

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe pronar i ‘Elkos Group’, Ramiz Kelmendi, tha sot se e mbështetë çdo iniciativë për rritjen e pagës minimale në vend.

Kelmendi në seancën e Kuvendit që është duke u mbajtur për këtë çështje, pati një sugjerim që paga e ardhshme të jetë 300 euro bruto.

“Paga e ardhshme duhet të jetë së paku 300 euro bruto në mënyrë që të përmirësohet tatimi në fondin pensional, sepse si do të jetojë një pensioner me 100 euro apo 150 euro pas 40 vite punë”, tha Kelmendi.

Ai shtoi se kjo pagë është më shpresë dhënëse, përmirëson fondin pensional, mobilizon akterët ekonomik, rrit konkurrencën, dhe shton efikasitetin e të punësuarit.

“Për të rritur pagën minimale bruto 300 euro duhet të shtohet shumë seriozisht lufta kundër informalitetit sepse kjo shumë seriozisht mund ta dëmtojë prodhuesin e vogël apo ata që sapo kanë filluar”, tha deputeti.

Kelmendi po ashtu tha se duhet të shtohet edhe efikasiteti dhe arsimimi i punëtorëve, që ata të jenë sa më profesional.