QKUK - Foto: KALLXO.com

Ramadani: Fruthi nën Kontroll- S’ka Vend për Panik

Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Hamdi Ramadani në një konferencë për gazetarë tha se situata është nën kontroll dhe se nuk ka vend për panik në lidhje me rastet e fruthit.

“Situata e sëmundjes se fruthit është aktuale, por është e menaxhueshme dhe e kontrolluar. E kemi stafin e përgatitur, ndodhemi në një epidemi të sëmundjes se fruthit”, tha drejtori Ramadani.

Sa i përket vdekjes së një foshnjeje, drejtori Ramadani tha se ai fëmijë ka pasur edhe probleme tjera shëndetësore dhe ka qenë i pavaksinuar.

“Një fëmijë 15 muajsh ka vdekur, por ai fëmijë ka qenë i sëmurë edhe më herët por ai ka qenë edhe i pavaksinuar”, tha Ramadani i cili edhe bëri thirrje që fëmijët të vaksinohen më këtë vaksinë që edhe cilësohet si një prej vaksinave më imunitare që ekzistojnë.

KALLXO.com kishte shkruar për këtë vdekje nga fruthi.

http://kallxo.com/nga-fruthi-vdes-foshnja-15-muajshe-nje-tjeter-pacient-ne-gjendje-te-rende/

Ai shtoi se për herë të parë që nga paslufta është kërkuar ndihmë në Klinikën Infektive nga sëmundja e fruthit.

“Klinika infektive është takuar për herë të parë me këta të sëmurë në qershor të këtij viti. Prej pasluftës s’ka pasur asnjëherë problem me fruthin, vetëm këtë vit”, tha Ramadani.

Ai konstatoi se nuk ka vend për panik.

“Nuk ka vend për panik, ne kemi situatën nën kontroll, kemi staf të përgatitur. Ne i kontrollojmë  të gjithë pacientët të barabartë pa marrë parasysh kombësinë, racën etj.”, tha në mes tjerash drejtori i Klinikës.

Që prej qershorit kur është lajmëruar për herë të parë sëmundja e fruthit, deri më tash kanë pranuar trajtim 128 raste, ndërsa për momentin janë 57 raste që janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive.

Vetëm sot në Klinikën Infektive janë pranuar 8 raste.

Sipas tij, më të prekurit nga fruthi janë fëmijët parashkollorë. Rastet më të rënda janë ato me temperatura të larta, me të vjella dhe që kanë vështirësi me frymëmarrje.