Ramadan Zejnullahu- Rektor i Ri i UP-së

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka zgjedhur sot Ramadan Zejnullahun në postin e rektorit të këtij institucioni të arsimit të lartë.

“Po është zgjedhur rektori i ri. Ai është Ramadan Zejnullahu, profesor i shkencave natyrore. Zgjedhja e tij është bërë me shumicë votash”, tha për KALLXO.com, kryetarja e Këshillit Drejtues të UP-së, Shefkije Islamaj.

Zejnullahu, ligjërues që 34 vjet në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, për disa vite ka qenë edhe kryetar i Këshillit Kombëtar të Cilësisë dhe shef i Departamentit të Matematikës në FShMN.

Ai ka marrë më së shumti vota nga anëtarët e Këshillit Drejtues. Bëhet e ditur se për Ramadan Zejnullahun kanë votuar 5 anëtarë, për Anton Berishajn 2, ndërsa për Behxhet Mustafën një anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së.

Pak ditë para se të zgjidhej rektor, ai i ka deklaruar Gazetës Jeta në Kosovë se shpreson që do të zgjidhet këtë herë në këtë post pikërisht pse thotë se nuk i përket asnjë partie politike dhe se mund të bashkëpunojë me të gjithë pa paragjykime.

Zejnullahu pati thënë se universiteti publik me vite është duke vuajtur nga ndërhyrjet politike të klaneve të ndryshme, ndikime të cilat pretendon se do t’i largojë nëse drejton UP-në.

“Me vite të tëra kemi menduar se kush do të zgjidhet senator, kush dekan e kush rektor, kush kë po e punëson dhe kush kujt po i bën favore, ndërkohë që kemi lënë anash kërkesat vitale për të nxjerrë kuadro të kualifikuara”, qe shprehur ai.

Përveç heqjes së ndikimeve klanore e politike, Zejnullahu tha se planifikon luftimin e korrupsionit në universitet, transparencën si dhe ndalimin e angazhimit të personelit akademik jashtë universitetit nëse vihet në krye të Rektoratit.

Në garë të ngushtë për postin e rektorit, përveç Ramadan Zejnullahut, kanë qenë edhe Anton Berishaj, Berim Ramosaj dhe Behxhet Mustafa.

Mandati i Zejnullahut në krye të UP-së zgjat deri më 30 shtator të vitit 2016, pasi që gjysma e mandatit është konsumuar nga rektorët e mëparshëm Ibrahim Gashi dhe Anton Berishaj.