Ramadan Zejnullahu Përballë Vetes dhe Universitetit të Politikës

E filloi mandatin me protesta të organizatave të veteranëve të luftës që kërkonin privilegje për fëmijët e këtyre kategorive për regjistrim në universitet.

E vazhdoi me protesta të një grupi të studentëve për më shumë afate provimi dhe me ‘rebelimin’ e disa senatorëve që kërkonin rrugë të shpejtë avancimi akademik.

Dhe aktualisht është duke pritur një mbledhje kritike të Këshillit Drejtues në të cilën një nga pikat e rendit të ditës do të jetë shkarkimi i tij nga posti i Rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ky është viti i Ramadan Zejnullahut në krye të universitetit.

Ai është emëruar në këtë pozitë në shtator të vitit të kaluar, disa muaj pasi ky institucion u fut ujërave të turbullta për shkak se ish rektori i tij, Ibrahim Gashi, u zu se kishte publikuar punime shkencore për nevoja të avancimit të tij nëpër revista të dyshimta shkencore.

Në shtator të vitit të kaluar, pak ditë pasi ishte ulur në karrigen e nxehtë, Zejnullahu kishte folur për emisionin “Jeta në Kosovë” përballë Jeta Xharrës për planet e tij se ku synon ta çojë universitetin më të vjetër dhe më të madh në vend gjatë mandatit të tij në krye të institucionit.

Një vit më pas, në të njëjtin emision, Zejnullahu u përball me ato premtime që kishte dhënë duke filluar nga avancimet të cilat deri tani janë bërë në bllok dhe pa shikuar mirë në plotësimin e kritereve të kërkuara.

Frenimi i këtij fenomeni e ka hasmuar rektorin me shumë senatorë dhe ia ka bërë të lëkundshme karrigen.

“Unë nuk do të nënshkruaj vendime që nuk janë në përputhje me ligjin. Duhet të gjendet dikush tjetër të nënshkruaj”, tha Zejnullahu në ‘Jeta në Kosovë’.

Sipas tij, deri më tani, gjatë një viti të qeverisjes së tij, askush nuk ëhstë avancuar pa i plotësuar kriteret.

Ai thotë se edhe ashtu, kriteret e kërkuara për avancim janë minimale dhe nuk e arrijnë 30 përqindëshin e kritereve të kërkuara në Maqedoni e lëre më në ndonjë shtet tjetër me arsim më të zhvilluar.

Telashet më të mëdha ai i ka në dekanët të cilët u treguan më të zëshmit në kundërshtimet që ia bënë gjatë mbledhjeve të zhurmshme të Senatit.

Megjithatë, Zejnullahu thotë se më shumë se gjysma e dekanëve e mbështesin idenë e tij për reforma.

Por në opinionin e tij, dekanët janë pjesë e mashtrimeve nëpër njësitë akademike pasi që ata kishin raportuar se vitin e kaluar profesorët nuk kishin humbur asnjë orë mësimi.

Të hënën pritet të mbahet një mbledhje e Këshillit Drejtues të Universitetit në të cilën raportohet se njëra nga pikat e rendit të ditës është edhe shkarkimi i tij.

Por rektori duket se nuk e çan kokën për fatin e tij.

“Çkado që të ndodh, unë jam i qetë dhe në vete i plotësuar. Unë nuk kam ardhur të taktizoj nga dita e parë”, tha ai.

“Kam thënë se do të jem rektor derisa ideja ime mund të zhvillohet. Në atë moment që ideja ime nuk mund të zhvillohet dhe unë duhet ta ndërroj atë dhe të përshtatem me njerëzit dhe idetë të cilat kam ardhur t’i luftoj, unë do ta ndërroj pozitën por jo idenë”, u shpreh Zejnullahu.

Por ajo për të cilën thotë se është i shqetësuar është “masa kritike për ndryshime” në Universitet për të cilën thotë se nuk lëviz për t’i ndryshuar gjërat edhe pse “me secilin që rri, e kupton që puna nuk është mirë”.

“Njerëzit nuk janë të liruar nga interesi personal. Aty kur vjen në shprehje interesi personal herë pas here, secili ka një dobësi”, thotë Zejnullahu.

Për 15 vitet e pasluftës, Universiteti të cilin e drejton Zejnullahu ka qenë synim i politikës vendore për t’u bërë strehë militantëve me diplomë dhe për t’u dhënë diplomë, grada universitare, vende të rezervuara pune dhe avancime zyrtarëve të lartë politikë.

Gazeta Jeta në Kosovë, në një hulumtim në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti kishte gjetur se një ministër i qeverisë aktuale, Haki Demolli (LDK) nuk po i mbante orët në Fakultetin Juridik duke qenë i zënë me punët e shtetit, njëjtë sikur edhe Enver Hasani që atëbotë ishte kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Ndërsa dy ministra tjerë nga PDK, Arsim Bajrami e Hajredin Kuçi, i kishin mbajtur orët e planifikuara në fakultet në kohën kur duhej të ishin në zyrat e tyre ministrore.

Me një vendim të tij, Zejnullahu ua ndali pagat këtyre zyrtarëve të lartë, por Inspektorati i Punës gjeti se rektori ka bërë shkelje të ligjit

Kryeshefi i Inspektoratit, Basri Ibrahimi, në këtë emision, tha se vendimi në favor të Demollit, Kuçit, Bajramit e Hasanit ka qenë i ligjshëm.

“Personeli akademik ka të drejtë që ta ketë edhe një vend tjetër pune dhe të përcaktohet cilën dëshiron ta ketë pagë primare e sekondare deri në 50 për qind të pagës”, thotë Ibrahimi.

Ai thotë se rektori, me vendimin e tij, e ka ndryshuar statusin juridik të këtyre profesorëve nga Profesor i Rregullt në Bashkëpunëtor të Jashtëm.

Por kur u pyet se si do ta konsideronte një të punësuar në institucionin e tij nëse ai punon vetëm tri orë në ditë, Ibrahimi u duk i zënë ngusht.

“Unë do të kisha marrë masa disiplinore nëse ai nuk vjen në orar të rregullt të punës”, tha Basri Ibrahimi.

Për më tepër, ai u shpreh se inspektorët e tij nuk kanë kontrolluar nëse katër zyrtarët e lartë shtetërorë kanë qenë të rregullt në ligjëratat e tyre.

“Për ne është irelevante a munden ata me kry punën apo jo. Neve na intereson juridikisht a kanë të drejtë apo jo”, tha Ibrahimi.

Nga dita e ankesës së bërë nga Ferat Shala në emër të këtyre zyrtarëve të lartë, Inspektorati ishte përgjigjur në afat rekord brenda dhjetë ditëve.

Por në raste tjera të profilit më të ulët, ky institucion i vonon përgjigjet me muaj.

Një rast i tillë ka ndodhur me punëtorët e larguar nga puna nga ProCredit Bank.

“Jam i vetëdijshëm se ka ndonjë rast lëshimi, por në parim të gjitha ankesat i kemi sjellë brenda afatit ligjor”, thotë ai.