Ramadan Zejnullahu Flet Pas Shkarkimit

Rektori i shkarkuar i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, pas votimit në Këshillin Drejtues tha se ky votim tregoi fitoren e “idesë së mashtrimit dhe shantazhit.

“Vendimi i sotëm i Këshillit nuk kishte të bënte me mua ose me stafin tim, por me idenë e reformës dhe progresit që ne po e përkrahim fuqishëm dhe idenë e mashtrimit dhe shantazhit që e përkrahin disa njerëz të fuqishëm. Sot, fatkeqësisht, fitoi kjo e dyta”, tha Zejnullahu në një deklaratë me shkrim.

“Unë ende besoj në fuqinë e UP-së dhe të shoqërisë sonë për t’u transformuar, duke respektuar vlerat e duke ndërtuar institucione që punojnë për të mirën e përgjithshme e jo për klane njerëzish të fuqishëm. Unë do të vazhdoj ta jap kontributin tim për të mirën e UP-së në cilëndo pozitë që jam. Forca e dijes dhe arsyes do të triumfojë herët apo vonë. Rrugës do të humbim shumë beteja, por nuk duhet të ndalemi”, tha Zejnullahu.