Ramadan Rexhepi merr çmimin letrar “Beqir Musliu”

Krijuesi Ramadan Rexhepi me prejardhjen nga Lugina e Preshevës është shpallur fitues i sivjetmë, i 12-ti me radhë i çmimit letrar “Beqir Musliu”, çmim që ndahet nga ARS Clubi “Beqir Musliu’ në bashkëpunim edhe me Komunën e Gjilanit.

Dorëzimi i çmimit për poetin Rexhepi është bërë të martën, më 18 shtator 2018,  gjatë një ceremonie të zhvilluar enkas për këtë rast. Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi për media nga Komuna e Gjilanit.

Gjatë ceremonisë u vlerësua puna krijues e autori Ramadan Rexhepi  i cili për shumë dekada zhvillon veprimtarinë në diasporë.

Duke dorëzuar çmimin, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se ka shumë dekada që fituesi i sotëm i këtij çmimi nuk ka qenë në Gjilan dhe është kthyer si një njeri i madh, për të marrë një çmim të vogël, por që, siç ka thënë ai,  bartë emrin e një shkrimtari me vlera.

“Gjilani dhe Anamorava nuk është e plotë në këtë Kosovë të ngushtë, nëse nuk arrin t’i sublimojë kërkesat e shqiptarëve të Kosovës Lindore për bashkimin me Kosovën”, ka pohuar Haziri.

Në fund të ceremonisë fotografia e Rexhepi është vendosur në këndin e fituesve të këtij çmimi në Teatrin e Qytetit të Gjilanit.