Ramadan Muja Ankohet për Mungesën e Avokatit

Në Gjykatën e Apelit është mbajtur seanca ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe ndaj zyrtarëve të tjerë të shpallur fajtorë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Të pakënaqur me vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Prizrenit, të akuzuarit dhe mbrojtja kishin paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.

Seanca filloi me pakënaqësinë e të akuzuarit Muja për mosprezencën e avokatit të tij, Ruzhdi Berisha.

“Më lejoni të shprehë shqetësimin tim për mosftesën e avokatit tim, Ruzhdi Berisha, i cili është marrë me rastin që prej seancës të parë. Unë mendoj që kjo seancë është duke u mbajtur për shkak të ankesës së tij, si avokat lider i lëndës, e ai nuk e ka marrë ftesën”, tha Muja.

Kryetarja e kolegjit të Apelit, Tonka Berishaj, bëri të ditur se avokatit Ruzhdi Berisha i është dërguar ftesa.

“Njoftimi është dërguar tek i njëjti, por arsyen se pse nuk e ka marrë ftesën nuk e di”, tha Berishaj.

Gjyqtarja Berishaj tha se mosprezenca e tij nuk paraqet pengesë për mbajtjen e seancës së kolegjit, andaj me pajtimin e të akuzuarit Muja, seanca e kolegjit vazhdoi.

Pajtimin për vazhdimin e seancës e tregoi Tomë Gashi, avokati tjetër i Ramadan Mujës.

“Ne propozojmë që të vazhdojmë me seancën e kolegjit”, tha Gashi.

Gjyqtari raportues, Darius Sielcki, në seancën e mbajtur, lexoi ankesat e anës mbrojtëse.

Avokatët mbrojtës në ankesat e tyre kanë konstatuar se aktgjykimi i shkallës së parë përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale e vendim të gabuar mbi sanksionin penal.

Ramadan Muja theksoi pastaj se nuk ndihet fajtor për keqpërdorim detyre, ndërsa deklaroi se ka kryer vepër humane, e jo penale, pasi që nga veprimi i tij janë punësuar rreth 150 qytetarë të papunë.

Gjykata e Apelit në Prishtinë pritet të vendosë për ankesën e të akuzuarve jashtë shqyrtimit gjyqësor.

Muja dhe të tjerët akuzoheshin se kishin bërë keqpërdorime me prona komunale dhe të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Muja për katër pikat e aktakuzës në vitin 2014 u dënua me burgim prej dy vjetësh me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Të akuzuarit e tjerë po ashtu u dënuan me burgim me kusht dhe pa të drejtë të ushtrimit të funksioneve publike për disa muaj.

Me Mujën qenë dënuar edhe ish-zyrtarët komunalë Minir Krasniqi, Kadri Ukimeri, Sadik Paçarizi dhe Avdi Ademaj. Ndaj Ukimerit ka pushuar procedura penale, pasi ai ka vdekur.