Edi Rama duke folur në Kuvendin e Shqipërisë më 28 shtator 2017. Foto: Malton Dibra/LSA

Rama: Shqipëria nuk do të ndërtojë kampe refugjatësh

Kryeministri shqiptar Edi Rama kritikoi me fjalë të ashpra propozimin për ndërtimin e kampeve për migrantë dhe refugjatë në Shqipëri si një ide që synon të “hedhë njerëz të dëshpëruar si mbetje toksike të padëshirueshme” ndërsa shtoi se “ai nuk do të pranojë kurrë” këtë ide.

Kjo ishte deklarata më e fortë e Ramës mbi debatin e hapur nga politika europiane për ndërtimin e kampeve “jashtë BE-së” në vende të tilla si Shqipëria, Tunizia apo Libia.

Duke folur për gazetën gjermane Bild, ai tha se Shqipëria “nuk do të ndërtojë qendra refugjatësh edhe në shkëmbim të anëtarësimit në BE” dhe se “kriza e refugjatëve duhet të zgjidhet në mënyrë të pavarur nga gjendja aktuale përpjekjeve për anëtarësim”.

Këshilli Europian i ministrave të jashtëm vendosi të martën të shtyjë vendimin për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë deri në qershor 2019 dhe theksoi si mbështetjen për procesin e zgjerimit ashtu edhe nevojën për reforma të mëtejshme në të dy vendet.

Përgjatë javëve të fundit, Rama është akuzuar nga opozita shqiptare se dëshiron të ndërtojë kampe për imigrantë të padëshiruar në shkëmbim të një vendimi pozitiv për hapjen e bisedimeve.

Shumë politikanë si në nivel europian ashtu edhe në nivel kombëtar në Austri dhe Gjermani kanë mbështetur idenë, e cila është pjesë e diskutimeve më të gjera mbi krizën politike në disa vende europiane të shkaktuar nga imigrimi.

Këshilli Europian në një projekt-konkluzion të publikuar më herët mbështeti idenë e “qendrave rajonale të disbarkimit” ndërsa ambasadori i Tunizisë në BE Tahar Cherif tha për Guardian se me të vërtetë Italia dhe Gjermania kanë propozuar ngritjen e kampeve në këtë vend dhe se qeveria e tij ka refuzuar.

Më herët Rama ka mohuar se ekzistojnë bisedime për ndërtim kampesh në Shqipëri, por pas vendimit të negociatave, foli për herë të parë kundër kësaj ideje. (reporter.al)