Rama: Nuk Ka Taksë pa Gjetur Zgjidhje për Zonën e Kukësit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar sot se nuk do të vendoset sistemi i pagesës në “Rrugën e Kombit” për banorët e zonës së Kukësit, pa e bërë zgjidhjen më të mirë të mundshme.

“Vendimi ynë është i qartë, ne nuk do të fillojmë sistem të pagesës pa vënë zgjidhjen më të mirë të mundshme për atë zonë. Është një punë e vështirë pasi në këtë proces kemi vendosur edhe ekspertë të huaj”, tha Rama.

Këtë deklaratë Rama e ka bërë, pasi në shenjë proteste për vendosjen e taksës së “Rrugës së Kombit” opozita e bashkuar ka vendosur që të bllokojë 4 akset kryesore rrugore.

Rama tha se do të ishte e udhës që opozita të ishte në Kuvend.

“Opozita nuk është këtu sepse nuk është e motivuar nga problemi i krijuar nga vendosja e kësaj pagese në perceptimin e banorëve të zonës së Kukësit, por është e motivuar për të shfrytëzuar këtë moment pakënaqësie legjitime të zonës së Kukësit në funksion të halleve të ditura dhe të paditura të lidershipit të saj”, tha Rama.

Rama tha se nuk kanë bërë sa duhet jo sepse kanë qenë indiferentë apo e kanë lënë me vetëdije në harresë impaktin negativ, por se nuk kanë pasur intuitën e duhur për të kuptuar domosdoshmërinë e sqarimit të gjithë kësaj çështjeje përpara sesa të vendosej sistemi i pagesës.

“Pse nuk e kemi bërë, çfarë intuite na duhej që nuk e patëm dhe pse kemi përgjegjësi unë i pari, qeveria si e tërë për akumulimin e kësaj pakënaqësie, sepse pa dashtë të justifikohem, u kam kërkuar ndjesë publike banorëve të zonës dhe do t’ua kërkoj deri në fund sa herë të flas për këtë temë, por jemi nisur nga praktika ndërkombëtare dhe duke qenë një eksperiencë e parë nuk kemi qenë mjaftueshmërisht të përgatitur për çfarë mund të krijonte një risi e tillë, nga pikëpamja psikologjike për njerëzit e painformuar sa duhet dhe pastaj të vendosur në shënjestrën e të tjerëve, opozitës, por jo vetëm, për t’u përdor si mish për top para agjendave të tyre”, tha Rama.

Ai shtoi se janë duke e vazhduar intensivisht punën për zgjidhjen e kësaj problematike dhe për krijimin e mundësisë optimale që edhe procesi i mirëmbajtjes jetike të “Rrugës së Kombit” të garantohet edhe problem i banorëve të adresohet.

Pas vendosjes së taksës në “Rrugën e Kombit”, pesë ditë më parë u dogjën pikat ku bëhej pagesa te tuneli i Kalimashit në një protestë që nisi e qetë, por u shndërrua në të dhunshme.

Dje para gjykatës dolën të arrestuarit nga kjo protestë.

Taksa për automjetet me katër rrota ka vlerën pesë euro.