Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë. Foto: Facebook.

Rama: Negociatat për anëtarësim nuk fillojnë të nesërmen

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë një takimi me qytetarët në Korçë ka folur për dhënien e rekomandimit nga Komisioni Europian për hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE në muajin qershor të vitit 2019.

Ai ka thënë se edhe po të vendosej që negociatat të hapeshin menjëherë përsëri do të caktohej një datë pasi negociatat për anëtarësim kërkojnë edhe parapërgatitje.

“Ne ia dolëm ta marrim datën dhe duhet ta dinë të gjithë që edhe sikur vendimi të ishte marrë për t’i çelur negociatat menjëherë përsëri do të vendosej një datë, e cila mund të ishte në dhjetor, mund të ishte në qershor, me kushtin e fillimit të punëve përgatitore, se nuk nisin të nesërmen negociatat por kanë një proces përgatitor, është i gjithë rrjeti i personave që do të negocojnë, është hulumtimi i të gjithë sistemit ligjor në çdo sektor për të parë se ku duhet të vendosen pikat për të vazhduar përputhshmërinë me sistemin ligjor të BE-së”, ka thënë Rama.

Më tej ai ka shtuar se ajo që ka ndodhur si asnjëherë më parë është se negociatat do të hapen në qershor por që është dhënë drita jeshile për të filluar me procesin përgatitor që sot.

“Nuk kemi humbur 12 muaj, por kemi 12 muaj kohë për të përgatitur të gjithë strukturën dhe infrastrukturën e negociatave”. ka theksuar Rama.

“Ne bëmë gjithçka mundëm dhe pamë nga afër me sytë tanë, dëgjuam me veshët tanë, kuptuam nga të gjitha komunikimet me të gjithë partnerët se sa shumë vlerësim pati nga njëra anë për gjithçka që kemi bërë por në të njëjtën kohë dhe se sa e vështirë ishte që të gjitha vendet e BE-së të vendosnin bashkërisht për të caktuar datën e çeljes së negociatave për arsye që nuk kanë të bëjnë fare me Shqipërinë, që nuk kanë të bëjnë fare me ecurinë e reformave tona por që lidhen me dinamikat e brendshme në disa vende të BE-së”, ka potencuar Rama.