Foto nga Protesta e Studenteve ne Tirane - BIRN

Rama fton studentët për dialog nesër në ora 11:00

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i është drejtuar studentëve përmes një video në Facebook dhe i ka ftuar ata për dialog, nesër nga ora 11:00.

“Do të kemi mundësi të diskutojmë gjerë e gjatë, këtu, live, në mejdanin social.  Përderisa protesta nuk është politike dhe prandaj po i mbijeton edhe hienave që kanë mbetur pa tepsi. Thelbi këtu është, dhe po u drejohem studentëve o bashkë sot edhe për nesër, o të ndarë për sot dhe për nesër. Ju pres nesër këtu, live, në orën 11:00 deri në darkë po të doni, që të gjithë, pa dallim feje, krahine e ideje dhe notash natyrisht”, është shprehur Rama.

Rama ka theksuar se është shumë i bindur që ky është një moment i artë për të ndërtuar një bashkëqeverisje sa bashku me studentët. Po ashtu sipas kryeministrit Rama, problemet e arsimit të lartë nuk janë as të reja e as të panjohura e pa diskutim nuk janë as të rënda si pesë vjet më parë.

Kryeministri i Shqipërisë ka thënë se financimi i infrastrukturës nuk do të shëronte sëmundjen që e ka kapluar universitetin në Shqipëri.

“Edhe nevoja për më shumë financim, infrastrukturë, kushte mësimore e sociale është e ditur. Por duhet ta them qartë fare, sot kur po flitet për tarifa, as ulja e tarifave, as investimi në konvikte, as biblioteka e re shkencore apo të tjera si këto, gjëra që po bëhen e që mund të bëhen me patjetër, nuk adresojnë sëmundjen por vetëm simptomat e sëmundjes. Jam shumë dakord që duhen edhe këto, pa diskutim, por nuk mjaftojnë, unë jam i pari që e di që nuk mjaftojnë. Duhet të bëjmë shumë më shumë akoma”, ka potencuar Rama.

https://kallxo.com/studentet-i-japin-ultimatum-qeverise-deri-te-marten/

Më tej Rama ka bërë thirrje për një bashkim mes Qeverisë dhe studentëve për të reformuar universitetin për shkak se të ndarë asnjëra palë nuk do të mund ta bënin.

“Pikërisht tani duhet tentuar një strategji e përbashkët, studentë-qeveri, për ta bërë këtë duhet një bashkim, jo vetëm i mundshëm por i domosdoshëm i Qeverisë me studentët dhe me ata pedagogë e drejtues për dalje nga rrethi vicios, jo për zgjidhje brenda rrethit vicioz, duhet të bashkohemi kundër sistemit të korrupsionit, kulturës së falsifikimit dhe keqadministrimit të universitetit. Është e thjeshtë, studentët pa qeveri nuk e bëjnë dot këtë nga poshtë sepse nuk kanë autoritet vendimmarrës. Qeveria pa ata nuk e bën dot këtë sepse nuk ndërhyn dot nga lart në vendimmarrjen universitare. Prandaj kemi ardhur deri këtu, dhe mund të mbetemi po këtu për një kohë të gjatë sado që Qeveria nuk do të donte të ishte kështu sot e sa do që do të donin edhe studentët të ishte ndryshe”, ka thënë Rama.