Kryeministri, Edi Rama, duke folur gjatë një konference shtypi më 9 tetor 2018. Foto- LSA

Rama: Dialog me studentë, jo negociata

Pak orë pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ftoi studentët protestues që nesër nga ora 11:00 të dialogojnë, ai ka shkruar se nuk është duke i ftuar ata për të negocuar por për të dialoguar.

“Negociata? Kush po kërkon negociata se unë kërkoj Dialog, jo negociata. Frikën nga Dialogu e kam parë tek politikanët që sot presin t’i nxjerrin gështenjat nga zjarri duke mos treguar duart. Mos vallë kush po i pengon studentët me megafon kundër Dialogut bën telefonin e prishur?”, ka shkruar Rama në ‘Twitter’.

Rama përmes videos ka bërë thirrje për një bashkim mes Qeverisë dhe studentëve për të reformuar universitetin për shkak se të ndarë asnjëra palë nuk do të mund ta bënin.

“Pikërisht tani duhet tentuar një strategji e përbashkët, studentë-qeveri, për ta bërë këtë duhet një bashkim, jo vetëm i mundshëm por i domosdoshëm i Qeverisë me studentët dhe me ata pedagogë e drejtues për dalje nga rrethi vicios, jo për zgjidhje brenda rrethit vicioz, duhet të bashkohemi kundër sistemit të korrupsionit, kulturës së falsifikimit dhe keqadministrimit të universitetit. Është e thjeshtë, studentët pa qeveri nuk e bëjnë dot këtë nga poshtë sepse nuk kanë autoritet vendimmarrës. Qeveria pa ata nuk e bën dot këtë sepse nuk ndërhyn dot nga lart në vendimmarrjen universitare. Prandaj kemi ardhur deri këtu, dhe mund të mbetemi po këtu për një kohë të gjatë sado që Qeveria nuk do të donte të ishte kështu sot e sa do që do të donin edhe studentët të ishte ndryshe”, ka thënë Rama.

https://kallxo.com/rama-fton-studentet-per-dialog-neser-ne-ora-1100/