Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj- Foto: Atdhe Mulla

Ragip Begaj i Pafajshëm për Shpërdorim Detyre

Trupi gjykues i kësaj gjykate pasi ka mbajtur seancat e shqyrtimit gjyqësor, ka administruar provat dhe ka marrë në pyetje dëshmitarët, e ka shpallur sot të pafajshëm të akuzuarin Begaj.

“I akuzuari Ragip Begaj lirohet nga akuza. Nga provat e administruara nuk është vërtetuar se gjatë muajve qershor-gusht 2014 në Malishevë i pandehuri në cilësinë e personit zyrtar-kryetar i komunës ka shpërdorur detyrën zyrtare dhe autorizimet me qëllim që t’i shkaktojë dëm dhe seriozisht t’ia shkelë të drejtat nga marrëdhënia e punës të dëmtuarit Shemsi Morina,” tha kryetari i trupit gjykues Artan Seriani.

Ragip Begaj tha për KALLXO.com se ka qenë i sigurt në vetvete se do të shpallej i pafajshëm, por gjykimin e ka përjetuar rëndë.

“Për mua nuk ishte e lehtë për arsye se ishte hera e parë që ballafaqohem me një gjykatë, unë kam besu në pafajësinë time qysh në fillim për arsye se absolutisht nuk e kam ndi veten fajtor për atë çka jam akuzu. Sot ishte vendimi definitiv i gjykatës se unë jam i pafajshëm dhe lirohna nga aktakuza dhe po besoj që drejtësia po e kryen punën e vet,” tha kryetari Ragip Begaj.

Ragip Begaj akuzohej se gjatë muajve  qershor – gusht të vitit 2014 në cilësinë e personit zyrtar ka shpërdoruar pozitën zyrtare dhe autorizimet e tij, me qëllim që një të dëmtuari t’i shkaktojë dëm, duke ia shkelur të drejtat nga marrëdhënia e punës.

Prokuroria e Shtetit pretendonte se edhe pse i dëmtuari Shemsi Morina kishte kontratë të lidhur me Drejtorinë e Arsimit deri me 01.10.2015 si drejtor i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Ganimete Tërbeshi” në fshatin Astrazub, Begaj me dashje dhe me dijeni kishte hapur konkurs pa ia ndërprerë më parë marrëdhënien e punës Morinës, duke e lënë pa vend pune dhe të ardhura për jetën.