Arkiv - Milan Radoiçiq (në mes, pa kravatë), pasi u emërua nënkryetar i Listës Serbe, Foto: Kossev/Balkan Insight

Radoiçiq flet nga arratia: Nuk dorëzohem, deshën të më vrasin

Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i kërkuar nga Policia e Kosovës për rastin e vrasjes së liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq, ka thënë të dielën se nuk do t’u dorëzohet autoriteteve kosovare ndërsa ka akuzuar njësitet speciale të Policisë se deshën “ta vrasin” të premten në mëngjes kur tentuan ta arrestojnë bashkë me katër të dyshuarit tjerë në Mitrovicën e Veriut.

Ai ka thënë se nuk është përgjegjës për vrasjen e Ivanoviqit.

“Nuk kam qenë shoku më i afërt i Ivanoviqit por nuk jam vrasës dhe nuk kam asnjë lidhje me vrasjen e tij”, tha Radoiçiq, i cili që nga e premta është në arrati.

“Aksioni i fundit kriminal i Policisë dhe i pjesëtarëve të sigurimit privat famëkeq të terroristëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut ishte demonstrim i forcës ndaj çdo serbi që ka vendosur ta mbrojë dinjitetin dhe të drejtën e vet për jetë”, tha Radoiçiq.

“Erdhën tek unë në banesë ku jetoj me gruan dhe fëmijët, të armatosur deri në dhëmbë, me të vetmin qëllim, që të më vrasin. Dhe për këtë kam dëshmi të qarta”, tha Radoiçiq në një deklaratë me shkrim.

Ai tha se nuk do të dorëzohet.