Rada Trajkoviq. Foto: Happy TV

Rada Trajkoviç e Nenad Rashiq kundër idesë për korrigjimin e kufinjëve

Politikanët serbë në Kosovë e shohin të dëmshme idenë e korrigjimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sidomos pas deklarimit të presidentit serb Aleksandër Vuçiqi për këtë temë, ata thonë se një gjë e tillë do ta destabilizonte rajonin.

Pas deklarimeve të vazhdueshme të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për korrigjim të kufirit me Serbinë, edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq është shprehur pro caktimit të kufirit, siç  ka thënë, ai me shqiptarët e Kosovës. Por, nga vetë serbët në Kosovë, kjo nuk shihet si diçka e mirë. Kryetari i Partisë Progresive Serbe, Nenad Rashiq thotë se ridefinimi i kufijve është një koncept i keq.

“Duhet ta dimë që ne jemi në Ballkan. Unë nuk e di dhe nuk e mbaj mend në asnjë periudhë historike që vendet e Ballkanit kanë arritur që me paqe t’i ndryshojnë kufijtë. Kjo është çështja e parë, e cila pastaj do të hapte probleme të tjera”, thotë Rashiq.

Rashiq thotë se përveç kësaj, as Bashkimi Evropian nuk do të pranonte ndarjen e kufijve mbi baza etnike.

Edhe ish deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, thotë se korrigjimi i kufijve do të çojë në destabilizimin e rajonit. Në një intervistë për programin e dytë të radio Kosovës Trajkoviç vlerëson se presidentët e Kosovës dhe Serbisë tashmë kanë arritur një marrëveshje për korrigjimin e kufirit, e cila ende nuk është zbuluar

“Ne kemi ardhur në një pozicion, ku ata për normalizim po na ofrojnë projektin më mizor. Ky projekt i ndërrimit të kufijve,  nënkupton dëbim të ri dhe shpërngulje të njerëzve si dhe destabizilim posaqërisht për ne serbët, që enklavat do të zbrazeshin, por edhe pjesa me e madhe e veriut të Kosovës”, thotë Trajkoviq.

Në disa paraqitje ditëve të fundit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka përmendur mundësinë e kogjimit të kufirit me Serbinë, përkatësisht bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, por pa u cënuar veriu i vendit. Ndërsa edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, një ditë më parë ka thënë se është në favor të caktimit të kufirit me shqiptarët, duke thënë se një territor që nuk dihet se kush e trajton atë dhe çfarë kujt i përket, është gjithmonë një burim i konflikteve të mundshme.