Ministria e Shëndetësisë - Foto: KALLXO.com

Qytetarët pa Sigurime Shëndetësore të Paktën edhe 2 Vjet

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka konstatuar se Sistemi Informativ Shëndetësor (SISh) i Ministrisë së Shëndetësisë nuk ka arritur të realizohet me kohë në 30 për qind të territorit të vendit.

Një gjë e tillë nuk është bërë as deri në maj të vitit të kaluar.

Raporti i ZKA-së gjithashtu evidenton mangësi dhe vonesa duke u bërë pengesë edhe sigurimet shëndetësore.

Implementimi  i Sistemit Informativ Shëndetësor (SISH) si obligim ligjor ende nuk është funksional dhe nuk ka qenë funksional dhe efektiv.

“Në bazë të planifikimit të bërë në Planin e Veprimit për Implementimin e Sistemit Informativ Shëndetësor për shtrirjen dhe implementimin e tij në 30% të territorit të vendit, ne kemi konstatuar se Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur ta realizojë atë deri në fund të vitit 2014. Për më shumë, as deri në maj të vitit 2017, Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur ta implementojë projektin në 30% të vendit”, thotë auditori.

Sipas auditorit, nga 5 institucionet të cilat janë audituar, vetëm 39 për qind e pacientëve kanë qenë të evidentuar në këtë sistem që po konsiderohet përqindje e ulët e shfrytëzueshmërisë duke marrë parasysh repartet e caktuara ku përdoret ky sistem.

Sistemi i SISh-it është shkaktar i vonesave të sistemit për sigurimet shëndetësore

“Vonesa e implementimit të Sistemit Informativ Shëndetësor është njëri prej shkaktarëve në prolongimin e implementimit të projektit të sigurimeve shëndetësore pasi që Sistemi Informativ Shëndetësor është parakusht për funksionimin e mirëfilltë të këtij projekti”, thuhet në raport.

Përkundër përpjekjeve, sistemi ka vonesa, mangësi dhe mosvlerësim të tij.

“Me gjithë përpjekjet dhe shpenzimet e krijuara, implementimi i projektit të Sistemit Informativ Shëndetësor vazhdon ende me vonesa dhe mangësi në implementim dhe si pasojë ende nuk është finalizuar pilotimi në të gjitha institucionet shëndetësore dhe nuk është bërë vlerësimi i tij”, thotë tutje raporti.

Në vitin 2011 Ministria e Shëndetësisë ka filluar implementimin e Sistemit Informativ Shëndetësor.

Implementimi i këtij sistemi është paraparë të kryhet në tri faza, ku faza e parë ka qenë implementimi në 30 për qind të territorit të vendit dhe vlerësimi i pilotimit deri në vitin 2014 dhe faza e tretë implementimi i sistemit në tërë territorin e Kosovës i paraparë të realizohet deri në vitin 2020.

Bazuar në të dhëna të dala nga ky raport, rezulton se shtrirja e plotë e sistemit në tërë territorin e Kosovës është paraparë të përfundojë deri në vitin 2020, por vonesat e shkaktuara mund t’i tejkalojnë planifikimet, gjë që mund të ndikojë më pas në vonesa në aplikimin e sigurimeve shëndetësore.

Në vitin 2016 ishte premtuar se nga janari i vitit 2017 do të fillojë mbledhja e premiumeve për sigurime shëndetësore dhe gjashtë muaj më vonë qytetarët do të mund të përfitonin nga mbledhja e tyre, por një gjë e tillë nuk u realizua.

Mashtrimet për Sigurimet Shëndetësore

Në tetor të vitit të kaluar minstri i Shëndetësisë Uran Ismaili kishte thënë se sigurimet shëndetësore do të fillojnë si fazë pilotuese.

“Sigurimet shëndetësore do të fillojnë vitin e ardhshëm. Sigurisht se një sistem aq i madh duhet të testohet, do të fillohet si parafazë për të filluar në të gjithë Republikën e Kosovës në vitin pasues”, kishte thënë Ismaili.

http://kallxo.com/ismaili-sigurimet-shendetesore-ne-fund-te-vitit-2018/

Sipas ismailit sigurimet shëndetësore mund të ndikojnë në varfërimin e qyetarëve, por duhet të realizohen.

http://kallxo.com/ismaili-sigurimet-shendetesore-gjate-kesaj-qeverie/