Qytetarët nuk Paguajnë për Veriun, Rryma Lirohet për 3,5%

Faturat e energjisë elektrike të muajit dhjetor do të vijnë më të lira për rreth 3,5%. KEDS-i, KOSTT-i dhe KESCO janë udhëzuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë që kostoja e furnizimit me energji elektrike për katër komunat e veriut të Kosovës të mos mbulohen më përmes tarifave përfundimtare. Heqja e kësaj kostoje nga tarifat nënkupton që qytetarët do të paguajnë rreth 3,5 për qind më lirë tarifat e energjisë elektrike, përkatësisht për aq do të ulen faturat e energjisë.

“Kostot e furnizimit me energji elektrike për katër komunat e veriut të Kosovës sipas aktvendimit të gjykatës nuk do të vazhdojnë të mbulohen përmes tarifave përfundimtare deri në vendosjen e çështjes meritore nga gjykata”, thuhet në shkresën që ZRRE-ja ua ka dërguar palëve të interesit.

Kjo shkresë e ZRRE-së është bërë pas vendimit të Gjykatës së Apelit për ta lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore me të cilin pezullohej zbatimi I vendimit të bordit të ZRRE-së që kosto e furnizimit të veriut me rrym t’i faturohet qytetarëve.

Zbatimi i kësaj urdhërese do të bëhet nga data 1 dhjetor, që do të thotë se ulja do të vërehet në faturat e muajit dhjetor që zakonisht vijnë pas datës 26 dhjetor.

Tutje në shkresën e ZRRE-së është cekur se koston e furnizimit të komunave veriore me energji elektrike duhet ta mbulojë Qeveria e Kosovës përmes një mekanizmi të veçantë.

“Për të siguruar furnizim me energji elektrike si e drejtë kushtetuese për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës (përfshirë edhe specifikisht edhe qytetarët e katër komunave veriore) dhe për të mos rrezikuar likuiditetin financiar dhe anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtar (ENTSO-E) të Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Tregut, gjatë kësaj periudhe duhet të gjendet një mekanizëm kompensimi nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në shkresën që e kanë pranuar ndërmarrjet energjetike nga KEDS-i.

Tutje, ZRRE-ja ia kujton qeverisë se është kompetencë e tyre që t’iu sigurojë qasje KEDS-it dhe KOSTT-it në katër komunat veriore.

“Për të ushtruar funksionet e veta të parapara me ligj në fuqi, operatorëve të licencuar duhet t’u sigurohet qasje e sigurt në asetet e të licencuarve në katër komunat veriore. Kjo qasje duhet të sigurohet nga institucionet e Republikës së Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në shkresën e ZRRE-së.

Tutje në shkresën e ZRRE-së thuhet se heqja e kostos së furnizimit të veriut nga tarifat e energjisë duhet të fillojë së zbatuari nga data 1 dhjetor 2017.

“Udhëzohet KOSTT, KEDS dhe KESCO që të zbatojë tarifat sipas shtojcës së bashkangjitur kësaj shkrese, deri në një vendim i cili pritet të merret nga Bordi i ZRRE-së, pasi ky organ të funksionalizohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, thuhet në shkresën e ZRRE-së.

Në fillim të vitit, ZRRE-ja kishte vendosur që të vazhdojë praktika që kosto e furnizimit të qytetarëve në komunat veriore do të mbulohet nga paguesit e rregullt të energjisë elektrike në Kosovë. Ndryshimi i vetëm që do të jetë gjatë këtij viti është ndërmarrja që do t’i shlyejë këto borxhe ndaj KESCO-s.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka vendosur që koston e furnizimit të veriut me rrymë si dhe Fondin për Energjinë e Ripërtërishme të bartë tek Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (OST/OT, KOSTT).

Veriu do të Vazhdojë të Furnizohet Falas me Rrymë

Ndërsa, në shtator të 2017-ës, një vendim i Gjykatës Themelore të Prishtinës pezulloi faturimin e shpenzimeve të rrymës në veri qytetarëve të pjesëve tjera të Kosovës. Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore të Prishtinës e ka pezulluar ekzekutimin e vendimit të ZRRE-së sipas të cilit shpenzimet e energjisë elektrike të qytetarëve të komunave veriore të Kosovës, u faturoheshin konsumatorëve të tjerë.

Duke vepruar sipas padisë  së Avokatit të Popullit, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi të pezullojë ekzekutimin e vendimit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji V_399_2012, të datës 06 shkurt  2012 deri në vendosjen përfundimtare të çështjes nga gjykata, bëhet e ditur në një njoftim të publikuar për media nga Avokati i Popullit.

http://kallxo.com/gjykata-vendos-per-faturimin-e-rrymes-ne-veri/

 

 

http://kallxo.com/ne-veri-qe-18-vjet-nuk-paguhet-energjia-elektrike/