Qytetarët e Ferizajt kundërshtojnë projektin e Komunës që ua ‘mbyllë’ banesat dhe bizneset

Dhjetëra qytetarë të Ferizajt, të cilët banojnë dhe kanë biznese në rrugën “Madeleine Albright”, kanë protestuar kundër projektit të Komunës së Ferizajt për ndërtimin e një rruge, e cila, sipas tyre, ua vështirëson qasjen në banesa dhe ua pamundëson veprimtarinë bizneseve.

Qytetarët thonë se nuk janë njoftuar për projektin “Bashkimi i qytetit”, i cili sipas tyre, fillimisht ishte paraparë të realizohej në një pjesë më larg objekteve të banimit e lokaleve të tyre.

Këta qytetarë kanë vendosur pankarta nëpër vitrinat e dyqaneve të tyre, në të cilat shkruante: “Shiten objektet për shkak të presionit nga Komuna për përfitimet e veta”.

Arsim Ejupi tha për KALLXO.com se dje kanë pasur shtyrje fizike me gjeodetët, të cilët, sipas tij, kanë thënë se vetëm pikat po i qesin dhe për të tjera merruni vesh me Komunën.

“Ne u kemi thënë se nuk lejojmë me i qitë pikat sepse porsa t’i qitni pikat kjo punë merr fund… Në mëngjes ata u tërhoqën dhe edhe Policia na përkrahu, na thanë se keni të drejtë se këto janë objektet e juaja dhe ju bllokojnë komplet, nuk mundeni me u kyq as me kerre as me kurrgjë hiç”, tha ky qytetar.

Ndërsa, Ekrem Tërshana, qytetar, thotë se kanë qenë në Komunë pasi ka ardhur projekti. Thotë se nuk kanë qenë të ftuar për të diskutuar për projektin.

Projekti sipas tij ka qenë i paraparë të ndërtohet më poshtë, por për interesa personale të dikujt në komunë, e kanë sjellë më lartë dhe bizneset tona i dëmton.

Qytetarët thonë se nëse realizohet projekti, do të bllokohen plotësisht dhe se nëse ndodhë ndonjë zjarr, nuk kanë se si të vinë as Zjarrfikësit.

Ndërsa, Arbër Bytyqi, drejtor i Drejtorisë së Infrastrukturës i Komunës së Ferizajt, ka thënë në një konferencë për media se projekti “Bashkimi i qytetit” është përcjellë me konkurs publik, ku kompanitë e ndryshme dhe qytetarët kanë pasur mundësi të ofrojnë alternativa për projektin.

“Gjatë kësaj faze kemi organizuar diskutime me qytetarët e Ferizajt dhe një prej këtyre takimeve është zhvilluar në ndërtesën e Komunës së Ferizajt”, tha Bytyqi.