QKUK - Foto: KALLXO.com

QKUK udhëhiqet nga burrat

Nga 37 njësi në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës një numër shumë i vogël i tyre udhëhiqen nga gratë.

Edhe pse shumë gra kanë shkollim më të lartë se burrat që kanë ardhur në udhëheqje të klinikave ato nuk kanë arritur t`ia dalin përballë tyre.

Në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës, Klinika e Pediatrisë udhëhiqet nga Drita Telaku- Qosaj, Klinika e Nefrologjisë udhëhiqet nga dr.Venera Hasanxhekaj, Klinika e Dermatologjisë nga dr. Fatime Kokollari, Klinika e Pulmologjisë nga dr.Rukije Mehmeti, dr.Hajrije Hundozi udhëheq me Klinikën e Fiziatrisë, dr.Venera Berisha me atë të Endokrinologjisë dhe Institutet Paraklinike nga dr. Rina Limani dhe Shpresa Surdulli udhëheq me departamentin e infermierisë dhe Gëzime Pllana së fundmi është bërë drejtoreshë e Barnatores Qendrore, ndërsa çdo njësi tjetër udhëhiqet nga një drejtorët burra.

Luljeta Neziri- Ahmetaj kishte konkurruar në dy mandate për të qenë në krye të Klinikës së Alergologjisë, edhe pse ajo ka thirrje akademike, është doktoreshë e shkencave mjekësore dhe profesoreshë e Alergologjisë me Imunologji ajo nuk i’a doli që të marrë titullin drejtor klinike.

“Mund të them se mospërzgjedhja e grave në postet udhëheqëse në QKUK sidomos në rastet kur ato kanë qenë diametralisht më të përgatitura kundrejt kandidatëve burra vërteton fatkeqësisht ‘sindromën patriarkale’ të funksionimit të institucioneve të shoqërisë kosovare”, thotë Neziri- Ahmetaj për KALLXO.com.

Sipas doktoreshës Neziri- Ahmetaj është duke u menaxhuar keq me fatin e një ndër institucioneve më me rëndësi në Kosovë.

Fatin e alergologes e kishte edhe ish -drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë Serbeze Kabashi- Muçaj. Ajo kishte konkurruar për një mandat tjerët në krye të klinikës por përballë saj është zgjedhur kandidati Bujar Gjikolli, i cili nuk ka thirrje akademike. Kabashi- Muçaj është edhe pjesë e stafit akademik të Universitetit të Prishtinës.

Në muajin Janar të këtij viti emisioni ‘Jeta në Kosovë’ kishte publikuar hulumtimin për parregullsitë në zgjedhjen e drejtorit të Klinikës së Gjinekologjisë.

Përballë kandidatit Jakup Ismaili ishin dy gra me thirrje akademike e shkencore, por përkundër shkollimit më të avancuar, thirrjeve shkencore e akademike, Vlora Ibishi e Brikenë Dacaj ‘u mundën’ nga Jakup Ismaili, drejtori i parë në historinë e Klinikës së Gjinekologjisë që e ka thirrjen vetëm të mjekut specialist.

Përndryshe në QKUK përveç që shumica e udhëheqësve të klinikave janë burra vlen të përmendet fakti se nga 37 njësi bashkë me dy institute, vetëm shtatë prej tyre udhëhiqen nga drejtorë që mbajnë tituj akademik, kjo me statutin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar është kriteri bazë.

Ndërkaq gratë e përmendura më lartë me tituj akademik e shkencorë nuk janë avancuar në poste udhëheqëse në këtë institucion.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje edhe Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

“Konkursi shpallet bazuar në udhëzimin administrativ 07/2017 që është nxjerrë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ligjit të Punës, që nuk lejojnë të bëhet vlerësimi bazuar në gjini, por në vlerësimin bazuar në rezultatet e treguara në intervistën me shkrim dhe  intervistimit me gojë. Pra, nuk është bërë vlerësimi nëse janë femra ose meshkuj, por rezultatet që kanë treguar në intervistim”, thuhet në përgjigjet e Zyrës së Mediave të QKUK-së dhënë për KALLXO.com.