QKUK sqaron videon e pacientit në QKUK

Mbrëmë nëpër media ka qarkulluar një video ku shihet një pacient duke qëndruar në një prej koridoreve të Qendrës Klinike Universitare, për të cilin u pretendua se nuk i është dhënë trajtimi për shkak të grevës së mjekësve.

Lidhur me këtë, QKUK mbrëmë paralajmëroi se do të bëjnë analiza të detajuara të kamerave të sigurisë për të parë nëse pacientit i ëshë dhënë trajtimi.

Sot, Zyra e Shërbimit Spitalor ka dalë me sqarim lidhur me këtë rast.

Sipas tyre, pacientit me inicialet A.E i është ofruar disa herë ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente.

“Mjekët kujdestarë në Klinikën Emergjente me datë 16.01.2019,  në bazë të raporteve mjekësore dëshmojnë për trajtimin e pacientit me inicialet A.E.  I njëjti është pranuar, diagnostifikuar dhe në të njëjtën kohë janë konsultuar shërbimet subspecialistike”, thuhet në njoftim.

Sipas SHKSUK-së, pacienti fillimisht është sjellë me autoambulancë nga Mitrovica, për në Klinikën Emergjente në Prishtinë.

“Pacienti A.E. është kontrolluar edhe në Klinikën Emergjente disa herë brenda kohës sa ka qëndruar në Klinikën Emergjente dhe të njëjtit i janë dhënë edhe këshilla të mëtutjeshme mjekësore. Pacienti ka qëndruar në Klinikën Emergjente edhe për një kohë pas trajtimit për shkak se është pritur që të vijë ndonjë i afërm ta marrë”, thuhet tutje në komunikatë.

Shërbimi spitalor ka bërë të ditur se ky pacient është trajtuar edhe më parë në QKUK.

Ata insistojnë se të gjithë këto dëshmi të mjekëve i vërtetojnë edhe pamjet e kamerave të sigurisë.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me videon e këtij pacienti.

 

https://kallxo.com/video-pretendohet-se-pacientit-nuk-iu-ofrua-ndihme-mjekesore-qkuk-premton-masa/