QKUK sqarohet për rastin e pacientit që u raportua se nuk u ndihmua

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka dalur me një sqarim në media në lidhje me trajtimin e pacientit që shihej duke qëndruar në koridorin e Klinikës Emergjente.

Përveç komunikatës që ka lëshuar sot QKUK ata kanë publikuar edhe pamjet e kamerave që tregojnë se stafi i kanë ofruar ndihmë pacientit.

Sipas tyre, pacientit me inicialet A.E i është ofruar disa herë ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente.

“Mjekët kujdestarë në Klinikën Emergjente me datë 16.01.2019,  në bazë të raporteve mjekësore dëshmojnë për trajtimin e pacientit me inicialet A.E.  I njëjti është pranuar, diagnostifikuar dhe në të njëjtën kohë janë konsultuar shërbimet subspecialistike”, thuhet në njoftim.

Sipas SHKSUK-së, pacienti fillimisht është sjellë me autoambulancë nga Mitrovica, për në Klinikën Emergjente në Prishtinë.

“Pacienti A.E. është kontrolluar edhe në Klinikën Emergjente disa herë brenda kohës sa ka qëndruar në Klinikën Emergjente dhe të njëjtit i janë dhënë edhe këshilla të mëtutjeshme mjekësore. Pacienti ka qëndruar në Klinikën Emergjente edhe për një kohë pas trajtimit për shkak se është pritur që të vijë ndonjë i afërm ta marrë”, thuhet tutje në komunikatë.

KALLXO.com nuk e ka publikuar videon e dërguar në media nga QKUK, pasi kjo bije në kundërshtim me të drejtat e pacientit dhe mbrojtjen e të dhënave personale të tij.