QKUK | Foto: KALLXO.com

QKUK qe një vit pa shërbimin e matjes së dëgjimit te fëmijët

I vetmi audiolog që ka punuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) e ka braktisur vendin e punës dhe po bëhen një vit që nuk janë duke u bërë matjet e dëgjimit te fëmijët në Klinikën e ORL-së.

Audiologjia merret me pacientët te të cilët duhet bërë matjen e dëgjimit, ndërsa specialistët në këtë fushë quhen audiologë.

I kontaktuar nga KALLXO.com drejtori i kësaj Klinike, Hajdin Thaçi, thotë se matjet e dëgjimit për fëmijët pediatrikë janë realizuar më parë nga mjeku që e ka lëshuar punën.

“Matja e dëgjimit për fëmijët pediatrik (Audiometri objektive) është realizuar më parë nga mjeku ORL që merrej me Audiologji. I njëjti ka lëshuar punën me 02. 07. 2018 ndërsa Klinika ka marrë në punë si zëvendësim të jetë një mjek tjetër mjek të ORL i cili është në përgatitje e sipër për të vazhduar me matjet e dëgjimit te fëmijët (Audiometri objektive)”, tha Thaçi.

Thaçi thotë se matja e dëgjimit për të gjitha kategoritë tjera bëhet çdo ditë në klinikë.

KALLXO.com mëson se sfidën me te madhe po e përjetojnë prindërit fëmijët e të cilëve kanë lindur para kohe, ata thonë se ky shërbim është i rrallë edhe në sektorin privat, prandaj detyrohen të shkojnë në shtetet fqinje.