Sami Salihu, kirurg maksilofacial. Foto: Kallxo.com

QKUK largon nga puna kirurgun shkaku i mungesës

Sami Salihu, specialist i kirurgjisë maksilofaciale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), është larguar nga puna pasi më herët ishte dërguar në komisionin disiplinor për shkak të mungesave në punë.

“Zyra e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK, ju konfirmon se dr. Sami Salihut i është ndërprerë kontrata e punës nga komisioni disiplinor, meqë i njëjti më parë ishte paraqitur në komision disiplinor nga drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Maksilofaciale sepse nuk ishte paraqitur në vendin e punës rregullisht për kohë të gjatë”, tha Zyra e Drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës për KALLXO.com.

KALLXO.com merr vesh se një numër i kolegëve të doktor Salihut janë shprehur kundër vendimit për largimin e tij nga puna por Zyra e Drejtorit të SHSKUK-së nuk e arsyeton veprimin e tyre.

“Zyra e drejtorit të përgjithshëm ju bën me dije se nuk do ketë tolerime dhe nuk mund të arsyetojë askush mungesën në vend punës. Është e çuditshme se si mund të arsyetohet kur ai nuk ka qenë në vendin e punës”

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për masat e ndërmarra ndaj stafit që ka munguar në vendin e punës.

https://kallxo.com/denohet-doktori-qe-nuk-ishte-ne-vendin-e-punes-ne-qkuk/