Sami Salihu, kirurg maksilofacial. Foto: Kallxo.com

QKUK jep detaje për largimin nga puna të mjekut

Largimi nga puna i kirurgut maksilofacial Sami Salihut ka ngritur reagim, pasi që një numër i kolegëve të tij kanë vlerësuar se një profesionist si ai nuk duhet t’i mungojë Klinikës.

Por në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës thuhet se mungesat e doktor Salihut kanë qenë të panumërta.

Alban Janova, kryetar i komisionit disiplinor në QKUK, tha të mërkurën se drejtori i përgjithshëm e ka kompetencë të inspektojë dhe në inspektimet e bëra ai nuk i ka gjetur mjekët në vendin e tyre të punës.

Ai tha se komisioni disiplinor nuk bazohet në faktet që i ofron drejtori, sipas tij, ky komision bën hulumtimet e tyre.

“Sami Salihu është rast tjetër. Ai është inicuar nga vetë drejtori i Klinikës së tij. Ai ka pasur një aksident në vitin 2016 dhe për një vit nuk i është ndalu paga. Më 2 maj 2017 është deklaruar se do të vijë në punë. Sipas ankesës së drejtorit të klinikës,  nga 2 maji deri kur kanë hyrë në përdorim kartelat për mbarëvajtje nuk ka qenë i rregullt. Prej se kanë hy kartelat në përdorim për katër muaj ka qenë vetëm katër herë nga 7 orë në ditë, as nuk është nënshkruar në listë fizike”, tha Janova gjatë një konference pvr shtyp në QKUK.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me Sami Salihun reth deklaratave të Janovës por ai ka qenë i paqasshëm për të dhënë koment gjatë ditës.

Janova tha se mjeku i larguar nga puna nuk ka bashkëpunuar as me komisionin disiplinor dhe për dy javë ata nuk kanë mundur ta kontaktojnë.

Sipas Janovës, mjeku Sami Salihu nuk ka shkuar në seancën e komisionit por e ka autorizuar një koleg që të shkojë në seancë dhe të përcjellë qëndrimin e Salihut.

KALLXO.com ka raportuar javën e kaluar për largimin e kirurgut Sami Salihu.

https://kallxo.com/qkuk-largon-nga-puna-kirurgun-shkaku-i-mungeses/