QKUK - Foto: Atdhe Mulla

QKUK: Diagnostikimi me Aparatura të Vjetra

Aparaturat diagnostikuese në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar (ShSKUK) janë bërë problem jo vetëm për qytetarët, por edhe për vetë stafin që punon aty.

Pacientët shpesh nuk marrin fare shërbime për shkak se pajisjet nuk punojnë, ndërsa profesionistët shëndetësorë rrezikojnë profesionalizmin e tyre bazuar në rezultatet e këtyre aparaturave.

“Kemi aparaturë por shumica prej tyre janë të vjetra. Por problemin më madhor e kemi pasë se nuk kemi pasë fonde të mjaftueshme për me ble të reja. Dhe aq më keq edhe për me i mirëmbajtë këtoi që kanë qenë. Tani kemi situatën më mirë me mirëmbajtje, shumë shpejtë do të funksionalizohen të gjitha këto të vjetrat që i kemi në përdorim sepse kemi lidhë kontrata për mirëmbajtje”, tha drejtori i ShSKUK-së, Curr Gjocaj.

Sipas drejtorit të Financave të QKUK-së ka mungesë ekstreme të buxhetit për servisim të aparaturave. Sivjet janë vetëm 900 mijë euro për mirëmbajtje dhe servisim ndërsa nevojat janë për 2 milionë euro.

Edhe në Klinikën Emergjente aparaturat e vjetra dhe mosfunksionimi po i tyre po u sjell probleme në diagnostikimin e sëmundjeve në rastet emergjente. Në këtë Klinikë mund të shihen aparate të vjetra mbi dhjetë vjet që ende janë në punë. /21Media