Foto: QKSS

QKSS: Policia e Kosovës dhe FSK, Institucionet më të Besueshme

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) i ka listuar dy institucionet më të besueshme në bazë të programit të tyre Barometri Kosovar i Sigurisë.

Sipas Plator Avdiut, hulumtues në QKSS, Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, kanë dalë institucionet më të besueshme jo vetëm të sigurisë por institucionet më të besueshme në vend.

Megjithatë, QKSS ka hulumtuar sfidat që ende i kanë këto dy institucione dhe kanë prezantuar rezultatet e hulumtimit “Monitorimi dhe Vlerësimi i Integritetit në Institucionet e Sigurisë në Kosovë”.

Avdiu ka thënë se Policia e Kosovës ka sfida në rregullimin e brendshëm të burimeve njerëzore.

Sipas tij, çështja e pensionimit të parakohshëm të zyrtarëve policor as këtë vit nuk është rregulluar, ndërsa rreth 1 mijë zyrtarë policë pritet të pensionohen.

Policia e Kosovës, sipas QKSS, përballet me mungesë të personelit të graduar në pozitat menaxheriale. Madje, një pjesë e vendeve të punës në polici udhëhiqen nga zyrtar që nuk kanë grada adekuate për pozita përkatëse.

“Kjo e vështirëson funksionimin e brendshëm të PK”, tha Avdiu.

Avdiu ka theksuar se pavarësia e punës së Inspektoratit Policor të Kosovës në raport me mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës është aktualizuar së fundi. Sipas tij, Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit pasi ishte emëruar në këtë pozitë në vitin 2016, ka pezulluar pozitën e mëparshme të punës në polici duke mos dhënë dorëheqje nga ajo pozitë.

Duke e marr parasysh se inspektoriati është institucion mjaft i rëndësishëm në forcimin e integritetit sipas Avdiut, nuk duhet të ketë asnjë dyshim që të kemi raste të tilla.

“Do të duhej që Kryeshefi Ekzekutiv të ofrojë dorëheqje nga pozita paraprake që e kishe ushtruar në Policinë e Kosovës pasi kjo mund të ndikoj edhe në rritjen e pavarësisë së inspektoratit në raport me PK-në”, tha  Avdiu.

Ndërkaq, Arife Muji hulumtuese, në QKSS, tha se në FSK është bërë përshkrimi i vendeve të punës në pozitat e MFSK-së, mirëpo kjo çështje ka mbetur peng si pasojë e vonesave politike për miratimin e mandatit të ri.

Si lëvizje pozitive është përmendur arritja e kuotave për përfshirje gjinore dhe të minoriteteve, përkatësisht minoriteti serb.

Sipas këtij hulumtimi, në FSK, deri tani, kuotat kanë qenë mbi 8 për qind për femra dhe minoritete ndërsa këtë vit është rritur.

“Në vitin 2017 këto kuota janë rritur për minoritete 10.03 për qind, ndërsa për gratë kuota aktuale është 8.25 për qind”, tha Muji.

Si rekomandim i QKSS është dhënë përshkrimi i saktë i vendeve të punës pasi kjo do të ndikonte pozitivisht në vlerësimin e performancës së menaxhmentit të MFSK-së.

Gjithashtu, rekomandimi tjetër është që Qeveria e Kosovës është e obliguar të miratoj një rregullore mbi prokurimin për qëllim të mbrojtjes dhe të sigurisë që rregullon kushtet dhe procedurat e prokurimit.